Na ndiqni edhe në

Shëndet

Trump sfidon ekspertët. Urdhër për reduktimin e vaksinave të fëmijëve

Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që kërkon ndryshime në programin e vaksinimit të fëmijëve në SHBA, përfshirë reduktimin e numrit të vaksinave të rekomanduara dhe administrimin veçmas të vaksinave kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR).

Trump ka vënë prej kohësh në pikëpyetje sigurinë e vaksinës MMR dhe gjatë njoftimit të urdhrit përsëriti pretendime të diskredituara që e lidhin vaksinimin me autizmin. Megjithatë, studime të shumta shkencore kanë arritur në përfundimin se nuk ekziston një lidhje shkakësore mes vaksinës MMR dhe autizmit.

Sipas urdhrit të ri, numri i vaksinave të rekomanduara për fëmijët do të reduktohej nga 18 në 11. Lista përfshin vaksinat kundër fruthit, shytave, rubeolës, difterisë, tetanozit, kollës së mirë, poliomielitit, Haemophilus influenzae tip B, sëmundjes pneumokokale, HPV-së dhe lisë së dhenve.

Trump ka argumentuar gjithashtu se vaksina MMR duhet të ndahet në injeksione të veçanta. Presidenti pretendoi se administrimi i vaksinës së kombinuar mund të jetë i rrezikshëm, por nuk paraqiti prova shkencore për këtë deklaratë.

Autoritetet shëndetësore amerikane theksojnë se vaksina MMR konsiderohet e sigurt për shumicën dërrmuese të fëmijëve. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) deklarojnë se nuk ka prova shkencore që ndarja e vaksinës MMR në tre injeksione të veçanta sjell ndonjë përfitim shëndetësor.

Ekspertët paralajmërojnë se ndarja e vaksinave mund të sjellë vonesa në imunizim dhe të rrisë mundësinë që fëmijët të mbeten të pambrojtur ndaj sëmundjeve infektive. Mjeku William Schaffner nga Vanderbilt University ka paralajmëruar se vizitat e shumta te mjeku mund të jenë më të kushtueshme dhe më të vështira për t'u menaxhuar nga prindërit, pa sjellë ndonjë përfitim të provuar shkencërisht.

Edhe Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) e ka kritikuar urdhrin. Presidenti i saj, Dr. Andrew Racine, e cilësoi atë si të rrezikshëm dhe jo të bazuar në shkencën më të mirë të disponueshme, duke paralajmëruar se vonimi ose anashkalimi i vaksinave mund të jetë veçanërisht problematik në një kohë kur rastet e fruthit po përhapen.

Kundër urdhrit është shprehur edhe senatori republikan Bill Cassidy, mjek me profesion dhe një prej figurave që mbështeti konfirmimin e Robert F. Kennedy Jr. si sekretar i Shëndetësisë. Cassidy deklaroi se vaksinat janë përgjithësisht të sigurta dhe efektive dhe theksoi se ato nuk shkaktojnë autizëm.

Një studim i madh i publikuar në Danimarkë në vitin 2019, ku u analizuan 657,461 fëmijë, nuk gjeti prova që vaksina MMR shkakton apo nxit autizmin.

Sipas CDC-së, vaksina MMR rekomandohet në dy doza, me dozën e parë zakonisht në moshën 12-15 muaj dhe të dytën në moshën 4-6 vjeç. Ekspertët theksojnë se kalendari i vaksinimit përcaktohet duke marrë parasysh momentin kur vaksinat janë më efektive dhe periudhat kur fëmijët janë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve.

Urdhri i Trump parashikon gjithashtu kërkime për alternativa ndaj kripërave të aluminit që përdoren në disa vaksina për të forcuar përgjigjen imunitare. Akademia Amerikane e Pediatrisë thotë se sasia e aluminit në vaksina është shumë e vogël dhe studimet nuk kanë treguar rreziqe të rëndësishme shëndetësore nga këto përbërës.

Urdhri i presidentit amerikan shërben si udhëzim federal dhe nuk përcakton drejtpërdrejt vaksinimet e detyrueshme për shkollat, pasi këto rregulla përcaktohen kryesisht në nivel shtetëror.

Debati pritet të vazhdojë mes administratës Trump dhe komunitetit mjekësor, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet në politikat e vaksinimit mund të ndikojnë në normat e imunizimit dhe të rrisin rrezikun e rikthimit të sëmundjeve që mund të parandalohen përmes vaksinimit./L.F-dritare.net