
Tre mijë mësues të rinj japin provimin e shtetit, publikohen datat
Dritare.net

Një ditë përpara nisjes së sezonit të tetë, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar kalendarin me datat se kur do të testohen mësuesit e sapodiplomuar. Sipas grafikut të paraqitur në tabelën përbri, 22 profesionistë të mësuesisë do t’i nisin provimet në datën 7 korrik e do t’i përfundojnë pas një muaji, më 5 gusht.
Të parët do të jenë arsimtarët e formuar në lëndën Histori-Gjeografi, më pas ata të Gjeografisë, Historisë, e deri te mësuesit e Edukimit Figurativ. Pjesën më të madhe të të testuarve e zënë ata të Gjuhë Letërsisë, Gjuhës Angleze dhe Arsimit Fillor, për të cilët janë vënë më shumë data në dispozicion. Po dje, AKP-ja publikoi 558 mësuesit e parë që testohen deri në datën 13, ku secili mund të gjejë orën e saktë të provimi. Po në këtë faqe ata gjejnë programet orientuese.
Ndërkaq, deri në ditën e caktuar, ata që kanë ende kohë mund të vazhdojnë të ushtrohen me teste të gatshme në aplikacionin që gjendet në faqen zyrtare të agjencisë. Si gjithnjë, testimet do të zhvillohen në godinën e AKP-së, ndërsa kandidatët duhet të paraqiten së paku gjysmë ore përpara.
Po ashtu, në ditën e provimit ata duhet të kenë me vete letërnjoftim, kopje të kartës ID ose pasaportës, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKPsë në varësi të herës së pjesëmarrjes, dhe në rast ndryshimi të mbiemrit, certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.
Kandidatit i ndalohet të marrë me vete celularë ose mjete të tjera komunikimi, i ndalohet konsumi i duhanit apo ushqimit, si dhe komunikimi gjatë orarit të provimit. R
regullat e mësipërme janë kusht, mosrespektimi i të cilave çon direkt në skualifikimin e të regjistruarve. Kalimi me sukses i këtij provimi i bën ata jo vetëm të aftë, por edhe legjitimë në kërkimin e një vendi pune. Në rast se nuk arrijnë të kalojnë këtë fazë me sukses, ata kanë edhe 4 herë të tjera për t’u shpallur zyrtarisht të paaftë (ndonëse një gjë e tillë s’ka ndodhur me asnjë deri më tani).
Përvoja e sezoneve të kaluara sjell një panoramë aspak të kënaqshme mbi nivelin e mësuesve që do të edukojnë brezat e rinj. Pothuaj gjysma e tyre nuk arrijnë të marrin dot 50% të pikëve për t’u konsideruar kalues, duke u futur disa herë në të njëjtin provim kundrejt një kostoje më të lartë.

















