
8,000 stërlina për të nxjerrë nga kampet një shqiptar, përkthyesja Eglantina Legisi në rrjetën e “Daily Mail”
Dritare.net
Një hetim me gazetarët e infiltruar ka zbuluar një skandal alarmues në sistemin e emigracionit britanik, ku përkthyes të kontraktuar nga Ministria e Brendshme po ofrojnë shërbime të paligjshme për lirimin me kusht të emigrantëve të ndaluar, kryesisht shqiptarë.
Sipas “Daily Mail”, përkthyes të pavarur kanë ndërtuar një skemë fitimprurëse ku, për 3,000 paund, ata ofrojnë garantues të rremë që dëshmojnë në gjykatë për të siguruar lirimin e të ndaluarve – duke mashtruar gjykatësit dhe duke lehtësuar qëndrimin ilegal në vend.
Mashtrim i organizuar me brenda-informacion nga sistemi
Në qendër të këtij skandali ndodhet Eglantina Legisi, një përkthyese shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka punuar për Ministrinë e Brendshme, gjykata dhe polici. Legisi është kapur duke ofruar garantues të rremë përmes rrjeteve sociale dhe kontakteve personale – përfshirë përkthyes të tjerë që gjithashtu punojnë për institucionet shtetërore.
Në një takim me një gazetare të infiltruar, ajo shpjegoi hap pas hapi se si funksionon mashtrimi: klienti paguan një total prej 4,000 paundësh, ndërsa garantuesi i rremë – pa asnjë lidhje me të ndaluarin – paraqitet në gjykatë si mik i ngushtë, gati për ta pritur në banesën e tij, i cili përfiton 1,000 paund.
Në realitet, emigrantët e liruar lëvizin të lirë, shpesh pa mbikëqyrje apo adresë të qëndrueshme.
Ministria e Brendshme dhe organet ligjore nisin hetim urgjent
Pas publikimit të raportit, Ministria e Brendshme ka nisur një hetim urgjent, duke premtuar “veprime të shpejta dhe vendimtare”. Edhe Autoriteti Rregullator i Avokatëve është përfshirë në hetim, pasi një avokat, Hassan Malik i HM Legal Ltd, pranoi të trajtonte çështjen pavarësisht se ishte informuar se garantuesi ishte i paguar dhe nuk kishte lidhje reale me të ndaluarin.
Malik mohoi se kishte dijeni për pagesën ndaj garantuesit dhe tha se komentet e znj. Legisi nuk përfaqësojnë firmën e tij. Legisi nuk ka komentuar mbi akuzat.
Sistemi i abuzuar dhe pasojat e rënda
Ligji kërkon që garantuesit të kenë një lidhje të vërtetë me emigrantin dhe një adresë të besueshme, por ky hetim tregon se në shumë raste, procesi po manipulohet në mënyrë sistematike.
Mbi 12,800 emigrantë shqiptarë thuhet se kanë shkelur kushtet e lirimit me kusht mes janarit 2022 dhe majit 2023, duke reflektuar përmasat e problemit.
Chris Philp, Sekretari i Brendshëm në hije, reagoi ashpër: “Këto raporte janë një turp. Përkthyesit po mashtrojnë sistemin dhe publikun britanik. Ata duhet të pushohen menjëherë nga puna dhe të përballen me drejtësinë.”/TCH

















