Na ndiqni edhe në

Editorial

5 maji i brekëgrisurve

5 maji i brekëgrisurve

Nga Dritan Hila

5 maji është dita e dëshmorëve. Lidhet me vrasjen e Qemal Stafës. E caktuan komunistët në nder të shokut të tyre të rënë në përpjekje me fashistët. Si të tillë, përpiqen ta zhvlerësojnë, dikush nga turpi që ishte me pushtuesin, dikush nga bezdia që qëndroi indiferent, e të tjerë që janë edhe më të rrezikshëm, sepse janë spiunë të fuqive të huaja.

Mirë apo keq, kjo është dita simbolikë e gjithë dëshmorëve. Është dita e atyre që ranë për të sjellë Pavarësinë, e atyre që ranë për të mbrojtur shtetin shqiptar, e atyre që ranë për çlirim, e atyre që ranë kudo ku flitet shqip, të atyre që ranë në mbrojtje të Atdheut me uniformën e mbretërisë, të republikës, të UÇK-së, apo pa uniformë fare. Është një ditë që duhet të nderojmë, qoftë edhe me një mendim, ata që ranë për këtë Atdhe dhe Komb. Është dita kur duhet të kujdesemi për varret e tyre. Sepse një 20, 30, apo qoftë edhe 70 vjeçar që ka dhënë jetën për këtë vend, respekti është i vetmi çmim që mund të pranojë. Se nëse nuk respektojmë ata që dhanë jetën për kombin, si mund t’i kërkojmë këtyre që janë sot në moshën e mobilizimit, kur lufta është në prag, të mbrojnë Atdheun.

Amerikanët nderojnë këdo që ka rënë nën flamurin amerikan, qofshin këto luftëra të padrejta apo jo; britanikët, rusët, francezët, italianët, po ashtu, pavarësisht nëse kanë rënë në luftëra çlirimtare apo koloniale. Edhe japonezët dhe gjermanët, nderojnë ata që kanë rënë në emër të Gjermanisë dhe Japonisë, edhe pse në luftën e fundit i kallën botës tmerrin me barbaritë e tyre.

Asnjë komb serioz nuk mund të pretendojë vazhdimësinë nëse nuk respekton ata që lidhën themelet e tij me gjak. Sepse varrezat e dëshmorëve i mbushin ata brekëgrisurit por që përbëjnë edhe kombin. Shikoni luftën në Ukrainë: oligarkët ia mbathën bashkë me këlyshët e tyre. Kurse ata që mbushin varrezat janë bijtë e popullit. Shikoni historinë tonë ku pinjollët e bejlerëve i shiteshin blerësit më të parë kurse bijtë e popullit mbushin varrezat e dëshmorëve. Ndaj dita e dëshmorëve ka kaq rëndësi, pasi është dita kur një komb ka respekt për veten e tij, është dita e popullit./dritare.net