Nga Dritan Hila
Protesta ashtu si nisi ka marrë fund. Nëse në ditët e para të saj pati në rreshta edhe qytetarë që shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj politikave qeveritare dhe korrupsionit, këta që mbetën tani janë mashat e organizatorëve dhe kusuri, individë me çrregullime personaliteti, delirantë dhe ata që kanë pasoja nga temperaturat e larta.
Pa rënë në narrativën e zakonshme që lavdëronte protestën, e vërteta është që qasja e saj qytetare mbajti shumë pak. Ambicjet për kryesim ku shquhet Agron Shehaj që mendon se deti u bë kos që të hajë edhe ai përshesh, e degjeneruan në një shfaqje të shëmtuar nga koncepti politik.
Ajo që evidentohet nga mish mashi i grupimeve, përveç atij tipit me Megafon dhe qeleshe, është tabori i islamikëve dhe ndjekësit guerrilas të Qorit që kanë filluar e ngjajnë gjithmonë e më shumë me ajatollahët. Por asnjëri prej tyre nuk është problem për Ramën pasi nuk thonë më kot se historia një herë vjen si tragjedi dhe herën e dytë si komedi.
Aleanca mes marksistëve dhe islamikëve ka ndodhur edhe në Iran në vitet 78-79. Marksistët menduan të shfrytëzonin islamikët, por ndodhi e kundërta. Khomeini menjëherë pasi mori frenat, të parët që kaloi në satër ishin pikërisht pinjollët e Marksit. Vetëm se Shqipëria nuk është Irani dhe Rama të jetë Pahlevi.
Por as Qorri e as islamikët nuk kanë stofën e Khomeinit dhe numrat që të bëjë më shumë sesa sulmet ndaj deputetëve në rrugë apo gjuajtjen me vezë.
Tashmë shpirti i protestës ka mbetur PD. Kjo edhe për shkakun se protesta ishte një masë entropike e pamundur të prodhonte mendim politik.
Nisur edhe nga skenografia me arkivol, protesta ishte e PD dhe kjo është një garanci më shumë për Ramën, pasi PD është e çertifikuar si humbëse përballë tij. Ndaj tyre Rama i ka mekanizmat e kolauduara. Natyrisht që në shkallën trekëmbëshe të protestës do vazhdojnë e hipin delirantë, por kjo është një garanci më shumë për pushtetin dhe një bjerrje më shumë për PD e cila tashmë nuk është në gjendje të prodhojë ide dhe shpreson të grumbullojë njerëz duke përdorur gjithfarë të pastabilizuarish psiqikë që nxjerrin turmat. Vetëm se kjo nuk është asgjë më shumë sesa ato grumbullimet që bëjnë kuriozët kur përshembull dikujt i teket të ulërasë në mes të rrugës. Kjo natyrisht është edhe një humbje për ata që shpresonin që inatin me Trumpin ta nxirrnin shesheve të Shqipërisë. Por gjithsesi atyre ende për ca kohë ju mjaftojnë pelikanët prej polisteroli që të zënë faqet e para të mainstreamit të majtë.
Ajo që realisht shkakton keqardhje nga konkluzionet e protestës është konstatimi se shoqëria jonë ende nuk ja ka dalë të formojë një shtrat që të nxjerrë një forcë të strukturuar që ti kundërvihet PS dhe PD. Dhe ky është realisht lajmi i keq nga protesta./dritare.net