
4 stile të ndryshme prindërimi dhe cili është më i duhuri për ju!
Dritare.net
Meqënëse fëmijët nuk vijnë me manual, prindërit shpesh përpiqen të kuptojnë se si mund të rrisin fëmijë të fortë mendërisht, të vetëplotësuar dhe të suksesshëm. Disa prindër janë të rreptë, ndërsa të tjerët janë të butë. Disa janë vigjilentë, ndërsa të tjerët janë më të distancuar.
Nëse pyetja " Çfarë lloji prindi dua të jem?" ju ka shkuar ndonjëherë në mendje, këto janë disa nga stilet e ndryshme të prindërimit.
Ka katër stilet kryesore - lejues, autoritativ, neglizhues dhe autoritar. Çdo stil prindërimi ka efekte të ndryshme në sjelljen e fëmijëve dhe mund të identifikohet nga disa karakteristika, si dhe nga shkallët e reagimit (shkalla në të cilën prindërit janë të ngrohtë dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijëve të tyre) dhe kërkuese (shkalla e kontrollit që prindërit vënë mbi fëmijët në përpjekje për të ndikuar në sjelljen e tyre).
1. Prindi Lejues
Ka përgjegjshmëri të lartë por kërkesa të ulëta. Komunikon hapur dhe zakonisht i lejon fëmijët e tyre të vendosin vetë, në vend që t’u japin një drejtim. Rregullat dhe pritshmëritë ose nuk vendosen ose zbatohen rrallë. Zakonisht bëjnë shumë përpjekje për t'i mbajtur fëmijët e tyre të lumtur, ndonjëherë duke shpenzuar ekonomikisht shumë për ta. Prindërit lejues kanë më shumë gjasa të marrin një rol miqësor, në vend të një roli prindëror me fëmijët e tyre. Ata preferojnë të shmangin konfliktin dhe shpesh pranojnë lutjet e fëmijëve që në rastin e parë. Këta prindër kryesisht i lejojnë fëmijët e tyre të bëjnë atë që duan dhe ofrojnë udhëzime ose drejtime të kufizuara.
2. Prindi autoritativ
Ka përgjegjshmëri të lartë dhe kërkesa të larta. Vendos rregulla dhe pritshmëri të qarta për fëmijën duke praktikuar fleksibilitetin dhe mirëkuptimin. Komunikon shpesh; ata dëgjojnë dhe marrin parasysh mendimet, ndjenjat dhe opinionet e fëmijëve të tyre. Ka nje fleksibilitet më të madh dhe pranon dështimet por i përdor ato mundësi për të ndihmuar fëmijën të reflektojnë dhe të mësojë. Prindërit autoritativë janë të kujdesshëm, mbështetës dhe shpesh në harmoni me nevojat e fëmijëve të tyre. Ata i udhëheqin fëmijët e tyre përmes diskutimeve të hapura për t'u mësuar vlerat dhe arsyetimin. Fëmijët që kanë prindër autoritativë priren të jenë të vetëdisiplinuar dhe me bazë të fortë logjike.
3. Prindi Neglizhues
Ka përgjegjshmëri të ulët dhe kërkesa të ulëta. I lejon fëmijët e tyre të kujdesen vetë për veten e tyre, ndoshta sepse janë indiferentë ndaj nevojave të tyre ose janë të papërfshirë/të mbingarkuar me gjëra të tjera. Ofron pak kujdes, udhëzim dhe vëmendje. Shpesh lufton me vetëvlerësimin e ulët dhe e ka të vështirë të krijojë marrëdhënie të ngushta. Ndonjëherë, i referuar si prind i papërfshirë, ky stil ilustrohet nga një ndjenjë e përgjithshme e indiferencës. Prindërit neglizhues kanë angazhim të kufizuar me fëmijët e tyre dhe rrallë zbatojnë rregullat. Ata gjithashtu mund të shihen si të ftohtë dhe të pakujdesshëm, por jo gjithmonë me dashje, pasi shpesh janë duke luftuar me problemet e tyre.
4. Prindi autoritar
Ka kërkesa të lartë por reagim të ulët. Zbaton rregulla strikte pa marrë parasysh ndjenjat e fëmijës ose nevojat social-emocionale të tij. Shpesh thotë "sepse kështu them une" kur fëmija vë në dyshim arsyet që qëndrojnë pas një rregulli ose pasoje. Komunikimi është kryesisht njëkahësh - nga prindi te fëmija dhe jo anasjelltas. Ky stil prindërimi përdor disiplinë të ashpër, shpesh të justifikuar si "dashuri e ashpër". Në përpjekje për të qenë nën kontroll të plotë, prindërit autoritarë shpesh flasin me fëmijët e tyre pa dashur të marrin pas mendime apo reagime.
Hulumtimet sugjerojnë se prindërit autoritativë kanë më shumë gjasa të rrisin fëmijë të pavarur, që mbështeten te vetja dhe me aftësi shoqërore e sociale të zhvilluara. Edhe pse fëmijët e prindërve autoritativë nuk janë imunë ndaj çështjeve të shëndetit mendor, vështirësive në marrëdhënie, abuzimit me substancat narkotike ose vetëvlerësimit të ulët, këto tipare shihen më shpesh te fëmijët e prindërve që përdorin stile prindërimi autoritar, lejues ose të papërfshirë.
Natyrisht, kur bëhet fjalë për prindërimin, nuk ka diçka që ju përshtatet të gjithëve. Nuk keni nevojë të zgjidhni vetëm një lloj, pasi mund të ketë raste kur duhet të përdorni lloje të ndryshme prindërimi por gjithçka në moderim. Prindërit më të suksesshëm e dinë se kur duhet të ndryshojnë stilin e tyre, në varësi të situatës. Një prind autoritar, për shembull, mund të dëshirojë të bëhet më lejues kur një fëmijë është i sëmurë, duke vazhduar të sigurojë ngrohtësi dhe duke hequr dorë nga kontrolli.
Dhe një prind lejues mund të jetë më i rreptë nëse siguria e një fëmije është në rrezik, psh kur kalon një rrugë plot em makina. Në fund të ditës, përdorni gjykimin tuaj dhe mbani mend se stili i prindërimit që funksionon më mirë për familjen tuaj në periudha të caktuara është ai që duhet të përdorni./CNBC/M.K/dritare.net

















