Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Stalla e lopëve mbron fëmijët nga alergjitë! Ja çfarë zbuloi studimi!

61835987_1004.webp

Fëmijët që rriten pranë fermave dhe kalojnë kohë në stallat e kafshëve kanë më pak gjasa të preken nga astma, alergjitë dhe ethet e barit sesa ata që jetojnë në qytet. Një studim i ri ka zbuluar tani bakteret që mund të qëndrojnë pas këtij fenomeni, të njohur si “efekti i fermës”.

74740289_906.jpeg

Ekipi ndërkombëtar, i drejtuar nga profesor Markus Ege i Klinikës Universitare LMU të Mynihut dhe Instituti për Parandalimin e Astmës dhe Alergjive në Helmholtz Munich, analizoi të dhënat e më shumë se 1 mijë fëmijëve nga zona rurale të Evropës.

Studiuesit shqyrtuan mostra të marra nga hunda dhe dyshekët e fëmijëve, ndërsa në 47 raste analizuan edhe pluhurin e stallave të lopëve. Me ndihmën e analizave gjenetike dhe metabolike, ata identifikuan disa baktere që vijnë nga aparati tretës i lopëve dhe përhapen në ajrin e stallës.

Mes tyre janë bakteret Romboutsia timonensis dhe Glutamicibacter arilaitensis. Ato prodhojnë ose përpunojnë substanca metabolike, të cilat mund të kalojnë në ajër dhe të thithen nga njerëzit. Më pas, këto substanca njihen nga receptorët e qelizave të rrugëve të frymëmarrjes dhe mendohet se ndihmojnë në frenimin e reagimeve të tepruara inflamatore të sistemit imunitar.

Sipas studiuesve, bakteret e identifikuara mund të shpjegojnë rreth dy të tretat e efektit mbrojtës ndaj astmës dhe afërsisht gjysmën e efektit të vërejtur ndaj etheve të barit dhe neurodermatitit.

Studimi mbështet idenë se kontakti me një larmi mikroorganizmash gjatë fëmijërisë së hershme ndihmon në “stërvitjen” e sistemit imunitar. Fëmijët që rriten në mjedise shumë të pastra dhe kanë më pak kontakt me mikrobet e natyrës mund të jenë më të prirur ndaj reagimeve alergjike.

Për herë të parë, studiuesit thonë se kanë arritur të ndjekin pothuajse të gjithë zinxhirin biologjik: nga lopa dhe bakteret e stallës, te substancat metabolike, receptorët njerëzorë dhe efekti i mundshëm mbrojtës ndaj astmës.

Zbulimi mund të hapë rrugën për zhvillimin e metodave të reja parandaluese ose ilaçeve që imitojnë “efektin e fermës”, pa qenë e nevojshme që fëmijët të qëndrojnë në stallat e lopëve.

Studimi është publikuar në revistën shkencore NEJM Evidence. Klinika Universitare LMU e Mynihut.

Prandaj, ne në DritareTV kemi nisur një cikël kushtuar bujqësisë dhe ju rekomandojmë të gjithëve, jo vetëm atyre që jetojnë në fshat, por edhe juve që jetoni në qytet, t’u hidhni një sy fermave tona.