
Pamjet/ Ja si është situata në Leskovac para ndeshjes Serbi–Shqipëri!
Dritare.net
Leskovaci është sot në qendër të vëmendjes së botës së futbollit, ku Serbia dhe Shqipëria do të përballen në ndeshjen më të rëndësishme të Grupit K të kualifikueseve të Botërorit 2026. Atmosfera në qytet është e ngarkuar, dhe masat e sigurisë janë maksimale për të shmangur çdo incident, duke pasur parasysh historikun mes dy vendeve.
Autoritetet serbe kanë angazhuar rreth 5 mijë forca policie, ndërsa në çatitë e ndërtesave do të vendosen snajperë dhe ekipe të specializuara për kontrollin e dronëve. Kjo përballje po ndiqet me interes jo vetëm në rajon, por edhe nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë rikujtuar episodin e vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja mes dy skuadrave u ndërpre për shkak të trazirave në tribuna.
Në aspektin sportiv, Serbia kërkon të reagojë pas humbjes së rëndë 5-0 ndaj Anglisë, e cila i zbeh disi ambiciet për kryesimin e grupit. Megjithatë, skuadra e Dragan Stojkoviç mbetet e fortë në shtëpi dhe shihet si favorite në letër.
Nga ana tjetër, Shqipëria e trajnerit Silvinjo vjen me moral të lartë pas pesë ndeshjeve pa humbje (3 fitore dhe 2 barazime) dhe synon të vazhdojë serinë pozitive me një rezultat historik në tokën serbe. Edhe pse kuqezinjtë nuk kanë shkëlqyer në transfertë, forma e mirë dhe stabiliteti në mbrojtje i japin shpresë skuadrës.
Δείτε αυτή τη δημοσίευση στο Instagram.
Ky është takimi i katërt zyrtar mes dy përfaqësueseve, me bilanc të barabartë: një fitore për secilën dhe një barazim, ndërsa një tjetër ndeshje iu dha Shqipërisë në tavolinë nga CAS.
Në Leskovac gjithçka është gati për një mbrëmje të zjarrtë, ku sporti, historia dhe emocioni kombëtar do të përplasen për 90 minuta vendimtare./K.C/dritare.net

















