Sot Kuvend/ Opozita thërret në interpelancë Jaupajn dhe Kumbaron!
Dritare.net

Dy interpelanca të thirrura nga opozita me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupajn dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron janë pjesë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare në Kuvend.
Opozita kërkon të dijë nga ministri Jaupaj se çfarë po ndodh me 102 kontejnerë me rreth 2,816 tonë mbetje të klasifikuara si të rrezikshme dhe toksike, të cilat ndodhen ende në periferi të Durrësit.
Ndërsa nga ministrja Kumbaro kërkohet përgjigje për organizimin e kopshteve dhe çerdheve pasi sipas PD, janë bashkuar dhe kanë krijuar mbingarkesë të kapaciteteve duke arritur edhe në 70 fëmijë. Gjithashtu ngrihet çështja e mësimit me dy turne në shkollat e Sarandës dhe nëse ka një plan konkret për t’i dhënë fund kësaj problematike.
Sa u përket projektligjeve, do të diskutohet për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza në kuadër të Forcës së Stabilitetit, e cila u krijua nga Bordi i Paqes, i thirrur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në rend dite është edhe pr.ligji për sigurinë juridike, mbrojtjen e zotëruesve të titujve dhe integritetin e tregut, i cili synon të qartësojë kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Pritet që seanca e sotme të dominohet nga debatet lidhur me arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se ka ndarë informacione sekrete të shtetit dhe ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, gjatë kohës që ishte në arrati.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 24.9.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
6. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike".
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.