Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si shkruhet; axhendë apo agjendë!

Si shkruhet; axhendë apo agjendë!
Sot në media, është publikuar lajmi i programit të vizitës së Presidentit të Këshillit të Europës në Tiranë.

Ajo që vëmë re është se disa portale e kanë shkruan "zbardhet axhenda", ndërsa të tjerë "zbardhet agjenda".

[caption id="attachment_611519" align="alignnone" width="687"] Foto ku është shkruar axhendë[/caption]

[caption id="attachment_611520" align="alignnone" width="1216"] Foto ku është shkruar agjendë[/caption]

Por si është forma e duhur, axhendë apo agjendë?

Fjalën "axhendë" nuk e përmbajnë fjalorët normativë të gjuhës shqipe. Kjo fjalë po përdoret kryesisht me kuptimin "një varg çështjesh apo veprimesh, që planifikohen për t'u diskutuar në një mbledhje apo për t'u kryer në një veprimtari".

Me këtë kuptim, fjala "axhendë" në gjuhën shqipe dublon një fjalë ekzistuese të huazuar prej kohësh - fjalën "program". Jo se nuk bën të përdoret fjala "axhendë", sepse duhet të kemi parasysh nevojën jetësore që shkruesit e folësit ndiejnë për mjete të reja shprehëse e për t'iu larguar klisheve, por është mirë të alternohet shpesh me fjalën "program", qoftë edhe si për t'i kujtuar lexuesit/dëgjuesit se ka edhe një mundësi tjetër shprehjeje.

"axhendë" apo "agjendë"?

Në ndërkohë që fjalorët normativë të shqipes nuk e përmbajnë, këtë fjalë, siç u përmend, në Shqipëri e shkruajnë kryesisht "axhendë", kurse në Kosovë gjithnjë "agjendë".

Pse njëra formë dhe tjetra?

Forma "axhendë" që përdoret në Shqipëri përputhet me shqiptimin anglez dhe atë italian, kurse forma "agjendë" e përdorur në Kosovë shkon në analogji me një varg huazimesh të tjera të futura në shqipe prej kohësh e të rregulluara sipas tipareve të gjuhës sonë, si agjent,agjenturë...

Pra, mbetet në dorën e gjuhëtarëve, më saktë, të planifikuesve gjuhësorë që të vendosin në bazë të kriterit të përputhjes së shqiptimit ndërgjuhësor ose në bazë të kriterit të analogjisë brendagjuhësore, për ta kodifikuar njërën formë të fjalës nëpër fjalorë normativë.

Them që të vendosin në bazë të kriterit dhe jo në bazë të masës së përdorimit, sepse këto dy forma tashmë i kanë të ndara tokat e përdorimit.

Dy format e kësaj fjale karakteristike për përdorimin zyrtar, flasin mjaft sa ka komunikim ndërinstitucional Shqipëri-Kosovë./E.B-dritare.net