
Kostumet tregojnë të shkuarën. Britaniku që zbuloi kodet e lashta në veshjet shqiptare!
Dritare.net
Një dokumentar i jashtëzakonshëm në DritareTV sjell një vështrim të thellë dhe emocional mbi trashëgiminë shqiptare, përmes syve të një të huaji që është dashuruar me Shqipërinë. Gazetari britanik Robert Hackman udhëton drejt veriut të vendit për të zbuluar një pasuri kulturore që ende mbijeton në fije të endura me kujdes: kostumet tradicionale shqiptare.
Duke nisur nga Xhubleta e famshme, veshja 4,600-vjeçare tashmë e mbrojtur nga UNESCO, Hackman zbulon simbolet e lashta të hënës dhe yllit të qëndisura në rrobat e grave të Malësisë, besimet pagane të lidhura me natyrën, mbrojtjen ndaj “syrit të keq”, dhe mesazhet që dikur veshjet i përcillnin për identitetin, statusin dhe historinë personale të çdo njeriu.
Në dokumentar theksohet sesi çdo detaj i një veshjeje, nga mënyra si rrotullohet fundi në valle, deri te ngjyrat që fshihen në barkun e fustanit të nusërisë, mban brenda tij shekuj historie, besimi dhe mbijetese kulturore.
Hackman vëren se këto kode të lashta nuk janë thjesht elemente folklori, por pjesë e gjallë e një identiteti që i ka rezistuar kohës. “Kur shikon këto kostume,” thotë ai, “nuk shikon vetëm të shkuarën e Shqipërisë, por një histori të përbashkët evropiane që rrallë dokumentohet me kaq pasion.”
Ky është një udhëtim jo vetëm etnografik, por edhe shpirtëror, që prek zemrën e çdo shikuesi dhe e kthen Shqipërinë në një muze të gjallë nën qiell të hapur. Kostumet janë ftesë për të njohur thellësisht rrënjët tona, përmes një vështrimi të jashtëm, por një ndjenje shumë të afërt./K.C/dritare.net

















