Shqiptarët, pasardhës të ilirëve! Neritan Ceka pro apo kundër Gjergj Bojaxhiut!
Dritare.net

Arkeologu Neritan Ceka, i ftuar në emisionin “Dekalog” me gazetarin Roland Qafoku në DritareTV, foli për një nga debatet më të diskutuara mbi origjinën e shqiptarëve: lidhjen e tyre me ilirët.
Gjatë intervistës, Ceka u pyet për studimin e përmendur nga Gjergj Bojaxhi, sipas të cilit, bazuar në kampionë të ADN-së të marrë në territore të ndryshme, 75% e shqiptarëve të sotëm rezultojnë pasardhës të ilirëve.
Ceka e cilësoi studimin serioz dhe tha se të dhënat gjenetike përputhen me ato që, sipas tij, arkeologjia ka dëshmuar për formimin dhe vazhdimësinë e popullsisë ilire.
“Ky përkon me të dhënat e arkeologjisë dhe është studim serioz. Studimet gjenetike janë fjala e fundit e shkencës dhe, për fat të mirë, korrespondojnë me të dhënat arkeologjike”, u shpreh Ceka.
Sipas tij, të dhënat arkeologjike, gjuhësore dhe tashmë edhe ato gjenetike mund të lexohen së bashku për të kuptuar procesin e etnogjenezës së ilirëve. Duke iu referuar studimit të Bojaxhiut, Ceka u shpreh prerë: “Studimi i Bojaxhiut është i saktë. Gjenetika, në këtë rast, ka shumë të drejtë.”
Arkeologu foli gjithashtu për teoritë mbi lëvizjet e popullsive indoeuropiane drejt Ballkanit dhe për vazhdimësinë e kulturave nga neoliti deri në epokën e bronzit, duke argumentuar se formimi i popullsisë ilire lidhet me procese shumë të hershme historike.
Debati u zhvendos më pas te kundërshtimet ndaj tezës së vazhdimësisë iliro-shqiptare. Ceka tha se, sipas tij, një pjesë e kundërshtimeve nuk lidhen vetëm me shkencën, por edhe me politikën dhe interpretimet historike të përdorura në raport me shqiptarët dhe Kosovën.
Neritan Ceka, pra, del në mbështetje të përfundimeve të paraqitura nga Gjergj Bojaxhi për lidhjen gjenetike të shqiptarëve të sotëm me popullsinë ilire, duke argumentuar se ato përputhen edhe me të dhënat arkeologjike./dritare.net