Na ndiqni edhe në

Shqiptarë të mrekullueshëm

Brezit të ri i mungon vullneti për të punuar! Flet Qani Sinanaj!

Brezit të ri i mungon vullneti për të punuar! Flet Qani Sinanaj!

Qani Sinanaj është një 84-vjeçar, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi tokës. Ka punuar si bujk dhe falë punës ndër vite arriti që jetesën ta ndërtojë në fshatin Çermë të Lushnjës, të cilën e mbushi plot me serra ku prodhonte ushqime bio. Për Dritare Tv ai tregoi merakun që ka dhe se çfarë ndodh me një shoqëri kur braktiset jeta në fshat.

“Unë kam lindur në fshatin Lavdar në Skrapar dhe kam punuar për shumë vite. Jam shkolluar, kam punuar në bujqësi dhe për disa vite punova në arsim, kam dhënë mësim lëndët bujqësore, mekanikë dhe organizim. Unë tani jetoj në Çermë të Lushnjës, kam punuar 10 vjet në një serë që kam ndërtuar këtu në shtëpinë time. Ama tani nuk e punoj dot, i kam mbjellë me misër e fasule, nuk dua të ngelet bosh se gjynah. Kush punon i ndjen rezultatet e punës së vet, se po nuk punove nga qielli mos prit se nuk të vjen gjë. Një fshat që ka mbi 300 hektarë tokë dhe sot të ngelët bosh, është e çuditshme. Ne ishim një brez që punonim me mish e me shpirt për këtë tokë. Sot mungon jo vetëm vullneti, por edhe mjeti, edhe njerëzit. Nuk ka më njerëz në fshat që të punojnë. Neve sot na mungon dëshira për të bërë një punë të mirë. Shumë fshatra janë boshatisur, edhe qytetet po ashtu. Të rinjtë sapo mbarojnë universitetin ikin në Gjermani.

Po ik ti në Gjermani, ama shërbe njëherë këtu. Po unë që ndenja këtu edhe shërbeva këtu gjithë jetën? Pse të mos punosh këtu edhe ti?

Kur braktiset jeta në fshat, shoqëria tkurret. Kjo po ndodh edhe me Shqipërinë. Edhe Tirana që mendohet se ka 1 milion njerëz do të boshatiset. Epo ne duhet të kultivojmë te fëmijët dashurinë për vendin, që të qëndrojnë në tokën e tyre, të punojnë për vete. Nëse shteti do ta zhvillojë vendin duhet të lidhë fshatin me qytetin me rrugë. Këtyre të rinjve që e kanë mendjen të ikin jashtë ju them që jeta ndërtohet këtu, për mrekulli. Edhe në majë të malit po të vesh, merr një shtëpi të vogël, 15-20 kokë dele dhe jeton si zotëri. Këta mendojnë se atje ka para, jo edhe atje duhet të punosh mirë që të bësh para.

Unë nuk e kam braktisur kurrë vendi. Më vjen keq për këtë vend, kanë jetuar mijëra veta”, tregoi zoti Sinanaj për Dritare TV./M.K-dritare.net