Na ndiqni edhe në

Shqiptarë të mrekullueshëm

Mesazhi i pensionistit që jeton me serat: Shërbejini vendit!

Mesazhi i pensionistit që jeton me serat: Shërbejini vendit!

DritareTv ishte sot në shtëpinë e Qani Sinanajt, pensionist që jeton vetëm me gruan në shtëpinë e tyre në fshatin Çermë të Lushnjës, punon tokën e tij, mbjell serat. Sot ai është 84 vjeç dhe për shkak të moshës e ka të pamundur të mbjellë perime e zarzavate në ato sera sepse duan punë, fëmijët i ka jashtë dhe nuk ka kush e ndihmon. Mesazhi i mësuesit në pension, është që të rinjtë të mos e lënë vendin, por t’i kthehen tokës së tyre dhe të ngrenë një biznes fitimprurës në Atdhe, jo të punojë jashtë për të tjerët.

“Unë kam lindur në fshatin Lavdar në Skrapar dhe kam punuar për shumë vite. Jam shkolluar, kam punuar në bujqësi dhe për disa vite punova në arsim, kam dhënë mësim lëndët bujqësore, mekanikë dhe organizim. Unë tani jetoj në Çermë të Lushnjës, kam punuar 10 vjet në një serë që kam ndërtuar këtu në shtëpinë time. Ama tani nuk e punoj dot, i kam mbjellë me misër e fasule, nuk dua të ngelet bosh se gjynah.

Kush punon i ndjen rezultatet e punës së vet, se po nuk punove nga qielli mos prit se nuk të vjen gjë. Një fshat që ka mbi 300 hektarë tokë dhe sot të ngelët bosh, është e çuditshme. Ne ishim një brez që punonim me mish e me shpirt për këtë tokë. Sot mungon jo vetëm vullneti, por edhe mjeti, edhe njerëzit. Nuk ka më njerëz në fshat që të punojnë. Neve sot na mungon dëshira për të bërë një punë të mirë.

Shumë fshatra janë boshatisur, edhe qytetet po ashtu. Të rinjtë sapo mbarojnë universitetin ikin në Gjermani. Po ik ti në Gjermani, ama shërbe njëherë këtu. Po unë që ndenja këtu edhe shërbeva këtu gjithë jetën? Pse të mos punosh këtu edhe ti? Epo ne duhet të kultivojmë te fëmijët dashurinë për vendin, që të qëndrojnë në tokën e tyre, të punojnë për vete. Nëse shteti do ta zhvillojë vendin duhet të lidhë fshatin me qytetin me rrugë. Këtyre të rinjve që e kanë mendjen të ikin jashtë ju them që jeta ndërtohet këtu, për mrekulli. Edhe në majë të malit po të vesh, merr një shtëpi të vogël, 15-20 kokë dele dhe jeton si zotëri. Këta mendojnë se atje ka para, jo edhe atje duhet të punosh mirë që të bësh para. Edhe fëmijët e mi janë jashtë në Itali dhe Angli. Do kthehen edhe ata, mbase kur të jenë pensionistë si unë.”, thotë 84-vjeçari në DritareTV./K.C/dritare.net