Fillimet në Sazan! Si nisi aventura 50-vjeçare e Bekës dhe Artës!
Dritare.net

Arta Isufi ishte nuse në Sazan. Shkoi atje pa mbushur të 20-tat, u bë grua, e nënë. Shkoi prej dashurisë në ishull, e gjithë jetën, jetoi me dashuri. Arta kujton këshillën e mamasë, që i thoshte se jeta e mirë, bëhet kudo je, edhe në mal, nëse ke dashuri! Ashtu ishte thotë Arta, e cila festoi 50 vjetorin, me bashkëshortin.
Por cili është sekreti i një martese që i ka rezistuar kohës për gjysmë shekulli? Për komandantin Bekja dhe Artën, përgjigja qëndron në disa parime të arta. Bekja thekson “gatishmërinë shpirtërore dhe fizike” për të përballuar sfidat së bashku, ndërsa Arta vë në pah “sinqeritetin, sigurinë, dashurinë dhe mirëkuptimin”. Këto elemente kanë krijuar një themel të fortë për familjen e tyre.
Për Artën dhe gratë e tjera të ishullit, jeta ishte një provë e vazhdueshme force. Me bashkëshortët që lundronin me muaj të tërë, ato mbeteshin shtyllat e familjes. “Ne gratë e ishullit kemi qenë heroina,” pohon Arta, duke përshkruar pritjet e gjata dhe frikën kur bashkëshorti kthehej pas një muaji, ndonjëherë i panjohur me mjekër, pas përballjesh me situata gatishmërie dhe anije të huaja.
Komandanti Bekja e përforcon këtë, duke i quajtur ato “heroina” që “dallgët e detit na i shuanin këtu në shtëpi”, duke përballuar jo vetëm mungesën e burrave, por edhe të kushteve bazike si uji dhe dritat. Kur pyeten për sekretin e martesës së tyre 50-vjeçare, përgjigjet e tyre plotësojnë njëra-tjetrën.
Arta shton se çelësi është “sinqeriteti, siguria karshi njëri-tjetrit dhe dashuria e mirëkuptimi".
Por përtej këtyre parimeve, romanca ka luajtur një rol thelbësor. Arta kujton me dashuri një udhëtim në Itali ku Bekja e surprizoi me një dhuratë, një gjest i vogël që për të ishte “gjëja më e bukur”. Bekja, nga ana tjetër, beson se romantizmi është aftësia për të gjetur bukurinë edhe në mes të problemeve. Duke reflektuar mbi brezin e ri, çifti shpreh mendime të ndryshme. Arta mendon se sot mbizotëron më shumë interesi, por pranon se kohët kanë ndryshuar dhe çdo brez ka bukurinë e vet. Bekja, me një ton të fortë patriotik, u bën thirrje të rinjve shqiptarë të “luftojnë për Shqipërinë me punë, me jetë, me dashuri, me sakrificë” dhe të mos largohen nga vendi.
“Të ndihemi krenarë,” thotë ai, duke e parë jetën e tij si një shembull shërbimi ndaj atdheut./dritare.net

