
Braktisja e fshatrave? Profesori 83-vjeçar: Kjo është rruga që do kalojmë!
Dritare.net
Cize Xhaferraj për shumë vite ka punuar si mësues dhe drejtor shkolle në fshatin Kallarat të Vlorës. Fshati i tij i lindjes Kallarati ka 18 vite që ka mbyllur dyert e shkollës për nxënësit por kjo nuk e dëshpëron profesorin, i cili shprehet se e ka pranuar kohën e re me të gjitha të mirat dhe dobësitë që ka sjellë. Është një rrugë që duhet ta kalojmë në të mirë të brezave që vinë thotë profesori. Për 83-vjeçarin emigrimi është zgjidhja e vetme që i mbetet brezit të ri, në kërkim të një jetë më të mirë.
“Unë jam Cize Xhaferraj, 83-vjeç. Me profesion kam qenë profesor, deri në vitin 1993 kam punuar në arsim pjesërisht kam qenë edhe drejtues shkolle ku kam punuar. Në fshatin Drashovicë dhe 20 vjet këtu në fshatin tim Kallarat. Këtu në këtë fshat kanë luftuar për arsimin për gjuhën shqipe. Këtu lindi kallaratasi që ishte pjesë e rilindjes Miftar Aliu, i cili ka kontribuar për gjuhën shqipe për çeljen e shkollave.
Në tetor të vitit 1960 u hap shkolla e parë në fshatin Kallarat. Shkolla këtu në fshat deri në vitet 1990 funksiononte shumë e mirë, me laboratorë për çdo lëndë.
Hapja e demokracisë solli emigrim të popullsisë dhe me ikjen e tyre nuk kishte më fëmijë ndaj dhe shkolla u mbyll në vitin 2006.
Fshati ka 18 vite pa shkollë sepse nuk ka nxënës nuk ka fëmijë. Kjo është rruga që do kalojmë do e pranojmë këtë sitëm me të mirat dhe me dobësitë që ka. Do të shkojmë përpara me zhvillimin qytetar në qytet, do rritet infrastruktura do krijohen baza për të mbledhur bujqësinë do të vij koha ku brezat e ri do ta shijojnë jetën. Sot është e pranueshme që njerëzit do të jetojnë aty ku gjejnë një jetesë më të mirë. Unë tani bëj një jetë monotone, dal jetoj në ajër të pastër i gëzohem natyrës miqtë i kam këtu. Jetë shumë monotone.” tha banori i fshatit Kallarat për gazetaren Marina Kërçeli/E.P/dritare.net

















