
Një dorë dhe shkrim mbi themele! Çfarë fsheh shtëpia e Dervish Iljazit!
Dritare.net
Dervish Iljazi njihet nga të gjithë bektashinjtë, si bamirës i madh i cili jetën e tij e “shkriu” për fe dhe Atdhe, duke ndërtuar rrugë, ura, çezma, por mbi të gjitha Teqenë e Kulmakut, duke i dhënë famë pelegrinazhit botëror në Çukën-Abaz Ali të Tomorrit.
DritareTV ishte në shtëpinë ku ka lindur Dervishi, ku gjurmë e tij sot ka mbetur dora e gdhendur mbi themele dhe një shprehje: “Zoti i bekoftë bektashianët”.
Pak metra më larg, Dervishi ndërtoi një pus që të furnizonte gjithë fshatin me ujë. Tani ky pus ruhet me fanatizëm nga banorët, pasi vlerësojnë si ujë të bekuar nga Dervishi.
Përparim Qafoku, kushëriri i Dervishit tregon se kjo banesë ruhet nga të afërmit që jetojnë në të.
“Kjo është shtëpia e Dervish Iljazit, që e ndërtoi për t’i shërbyer familjarëve të tij. Në këtë shtëpi, gjurmë e Dervish Iljazit ka ngelur dora e tij, e cila është gdhendur në themelet e ndërtesës.
Po ashtu, kjo shtëpi identifikohet edhe nga harku dhe sofatet, që e kanë traditë bektashinjtë.
Kjo shtëpi ka një histori: “Gjatë luftës italo-greke, kanë gjuajtur me gjyle dhe ndërtesa nuk pësoi asgjë”.
Ajo që mund të shihet po ashtu është shkrimi mbi portë që thotë: “Zoti i bekoftë bektashianët”.
Dervish Iljazi ishte bamirës i madh. Ai bëri çezma, puse edhe ngriti këto shtëpitë në fshat për arsye bamirësie. Ai ndihmoi shumë familje të varfra në fshat. Ai donte t’i shërbente Abaz Aliut. Kur Abaz Aliu iu shfaq në ëndërr ai iku, bleu tokën me paratë e veta edhe ndërtoi teqenë në Kulmak. Mori familjen edhe e çoi te kjo teqe.
Në Verzhezhë vlerësohet shumë, por edhe në Skrapar. Madje edhe rruga kryesore e Verzhezhës e ka emrin Dervish Iljazi. Ai donte ta bënte teqenë në fshatin Vërzhezhë, por pasi iu shfaq Abaz Aliu, iku edhe e ndërtoi në Tomorr”, tregoi zoti Përparim për gazetaren Marina Kërçeli./M.K-dritare.net

















