
Kallarati, djepi i Rilindjes sot pa një shkollë! Flet Cize Xhaferaj!
Dritare.net
Një fshat që ka luftuar për Gjuhën Shqipe, sot nuk ka shkollë ku të arsimohen fëmijët. Po flasim për Kallaratin, fshatin e trimave, që fati nuk e ka mbështetur për t’u zhvilluar. Njëherë u boshatis nga kolera që preku zonën dhe herën e dytë u shkrumbua nga grekët në vitin 1914-të. Cize Xhaferaj, ish-drejtor shkolle për vite me rrallë tregon për gazetaren Marina Kërçeli se prej 16 vitesh, shkollës së fshatit i është vënë dryni, pasi nuk plotësohet numri i nxënësve.
“Në këtë fshat kanë luftuar shumë shekuj më parë për Gjuhën Shqipe. Këtu lindi dhe kallaratasi, që ishte pjesëtar i Rilindjes Kombëtare, Miftar Ali Kallarati. Kënga e shpreh qartë kontributin e tij për përhapjen e Gjuhës Shqipe.
“Ç’thonë për Miftar Alinë,
Dyzet ditë që nga Stambolli,
Udha mbarësi s'solli,
La pas Sarajet e Ngjolit,
Kur i hoqën xhamadanë, ranë librat rrallë-rrallë”.
Deri në vitet ’90, shkolla funksiononte. I kishte të gjitha; laboratorë kimie e biologjie, mësues të përgatitur, dhomë muze etj. Por me hapjen e Demokracisë, njerëzit filluan të emigrojnë për një të ardhme më të mirë. Brezi i ri iku, shkolla u boshatis. Kush do të lindte fëmijë, ata që ngelën këtu? Jemi një zonë e thellë, nuk ka ku të mbështetet brezi i ri. Ose do të zbresin në qytet ose do të largohen jashtë shtetit; Itali, Kanada, Greqi e me rrallë.
Shkolla u mbyll në 2006-ën, kemi 18 vite pa godinë ku të arsimohen të rinjtë. Kjo është rruga që do kalojmë, do e pranojmë sistemin me të mirat dhe dobësitë që ka. Do shkojmë përpara drejt zhvillimit, rritja e infrastrukturës në fshat, apo do qëndrojmë pa bërë gjë.
Koha do vijë, edhe pse do jetë pak vonë. Por sot është e pranueshme që banorët do zgjedhin të jetojnë aty ku është më mirë për ta”, tha profesori për DritareTV./M.K-dritare.net

















