Shqipëria në listën e destinacioneve malore më të bukura të Evropës! Ja çfarë shkruan The Independent
Dritare.net
Nga The Independent
Vapa e padurueshme dhe zjarret në pyje po i shtyjnë turistët të kërkojnë freskinë në lartësi. Ekspertët e udhëtimeve ndajnë me ne destinacionet më të mira malore europiane për të veshur këpucët e ecjes dhe për të zbuluar natyrën edhe jashtë sezonit të skive.
Me temperaturat përvëluese dhe valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën, udhëtimet në male dhe pushimet në klimë më të freskët janë kthyer në një nga zgjedhjet më të preferuara të turistëve këtë verë.
Por ndërsa pushuesit po përballen me radhë të gjata për të ngjitur majat e Dolomiteve, ia vlen të shihen edhe destinacione të tjera malore, nga Portugalia dhe Shqipëria deri në Gjermani.
Qoftë për shtigje të lehta në Madeira, për aventura në Alpet Franceze apo për të zbuluar peizazhe ende të paprekura në Shqipëri, këto janë disa nga destinacionet malore europiane që ekspertët e udhëtimeve rekomandojnë për verën e vitit 2026.
Alpet Franceze, Francë
Rajoni njihet kryesisht për pistat e skive, por gjatë verës shtigjet malore rreth La Clusaz dhe Chinaillon ofrojnë një arratisje të qetë, larg ritmit të vrullshëm të udhëtimeve. Ngjitjet mund të jenë të lodhshme, por vështirësia harrohet në mbrëmje, kur pas një dite në natyrë vijnë në tryezë bageta të freskëta, mishra të përpunuar, djathë blu dhe pije lokale. Gazetari Jake Hall përshkruan livadhet e mbushura me lule të egra, lopët që kullosin të qeta nën diell dhe fluturat me ngjyra të ndryshme, nga bluja e zbehtë dhe e verdha e artë deri te nuancat e bakrit.
Shtigjet Levada, Madeira, Portugali
Në ishullin portugez të Madeira-s shtrihen rreth 200 shtigje Levada, me një gjatësi totale prej më shumë se 3 mijë kilometrash. Një prej tyre, Levada do Caldeirão, njihet si “caminho para todos”, ose “rruga për të gjithë”, duke synuar të jetë e aksesueshme edhe për persona me aftësi të kufizuara. Gazetari Matt Dennis e provoi vetë këtë itinerar për të parë nëse malet e Madeira-s mund të konsiderohen vërtet një parajsë e aksesueshme.
Pas ecjes, ai u kthye në pikën e nisjes së shtegut në Parque Florestal das Queimadas, me rrobat pak të ndotura nga balta, por me humor të shkëlqyer. Sipas tij, mes pemëve të lashta të dafinës dhe ajrit të kristaltë kupton se bukuria e natyrës duhet të jetë e aksesueshme për të gjithë, jo vetëm për personat pa kufizime fizike.
Bjeshkët e Nemuna, Shqipëri
Edhe pse Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë famë si destinacion bregdetar, për gazetaren Laura Sanders bukuria e vërtetë e vendit gjendet në Bjeshkët e Nemuna.
Luginat e shpërndara me shtëpi tradicionale, kullotat e larta ku kullosin bagëtitë dhe pyjet që duken thuajse të paprekura krijojnë një peizazh të jashtëzakonshëm. Rreth 75 për qind e territorit të Shqipërisë përbëhet nga hapësira të gjera natyrore dhe malore.
“Zgjohesh dhe përballë ke Malet e Nemuna, ndërsa në anën tjetër kufirin me Malin e Zi. Është magjike”, shkruan Sanders. Ajo sugjeron që Shqipëria të zbulohet ngadalë, përmes ecjes, çiklizmit dhe udhëtimeve me kanoe, në mënyrë që udhëtari të përjetojë plotësisht natyrën dhe peizazhin. Me rritjen e turizmit, ajo shpreson që Shqipëria të arrijë të ruajë atë që e bën kaq të veçantë: karakterin e saj të egër dhe të paprekur.
Vallée des Belleville, Francë
Në Vallée des Belleville, në Savoie të Alpeve Franceze, pjesa më e madhe e strehimeve malore drejtohet nga gra.
Gazetarja Rachel Ifans udhëtoi në këtë zonë për të takuar gratë që menaxhojnë këto refugje të izoluara në zemër të maleve. Gjatë ecjes nga Refuge Lac du Lou, ajo përshkruan tingullin e marmotave, shijen e boronicave të mbledhura direkt nga shkurret dhe aromën e trumzës së egër. Shtegu nga Les Menuires drejt Lac du Lou është i ngushtë dhe gjarpëron përgjatë malit. Në disa vende kalon mbi ura druri, ndërsa në të tjera duhet të kapërcesh përrenj. Pas rreth një ore ecjeje, udhëtari mbërrin te një shtëpi e bukur prej guri dhe dërrasash, e vendosur në fund të një liqeni me ujëra bruz, përcjell dritare.net
Bavaria, Gjermani
Për redaktoren globale të udhëtimeve, Annabel Grossman, nuk ishte e lehtë të imagjinonte zëvendësimin e Dolomiteve me një arratisje alpine në Gjermani. Por Schloss Elmau, një resort i qetë në Alpet Bavareze, e ndryshoi mendimin e saj. Këtu pushuesit mund të ndërthurin ecjet verore në male me trajtime spa, pamje spektakolare dhe vizita në kështjella që duken si të dala nga përrallat. Një nga avantazhet më të mëdha të Alpeve Bavareze është qetësia. Ndryshe nga Dolomitet dhe disa zona të tjera të Alpeve, ato ende nuk përballen me të njëjtën turmë turistësh.
Gjatë një dite, Grossman përshkoi livadhe të gjelbra deri te strehimi alpin Elmauer Alm, ku provoi Obatzda, një djathë i butë bavarez i shërbyer mbi një gjevrek të ngrohtë. Një tjetër ditë e kaloi duke udhëtuar me biçikletë drejt liqeneve malore Ferchensee dhe Lautersee, ku u zhyt në ujërat e kristalta.
Serra da Estrela, Portugali
Vetëm dy orë larg Portos ndodhet Serra da Estrela, vargmali më i lartë i Portugalisë. Gazetarja Estella Shardlow e përshkruan si një peizazh krejtësisht ndryshe nga çdo zonë tjetër e Portugalisë që kishte parë. Mes maleve, shtigjeve dhe fshatrave të vegjël, vizitorët gjejnë edhe një nga specialitetet më të njohura të zonës: djathin vendas. Megjithëse majat e Serra da Estrela janë më pak se gjysma e lartësisë së Mont Blanc-ut, peizazhi është aq mbresëlënës sa rajoni është pagëzuar shpesh si “Alpet e Portugalisë”. Liqenet e krijuara nga akullnajat, pyjet me pisha, dëllinjat dhe bimësia e egër ndërthuren me shkëmbinj të mëdhenj, duke krijuar një peizazh të veçantë malor.
Malet e Annecy, Francë
Alpet Franceze janë prej kohësh një destinacion i preferuar për skiatorët dhe alpinistët, por në verë mund të përjetohen edhe në një mënyrë shumë më të qetë. Në fshatin e vogël Talloires, në zonën e Maleve të Annecy, Mary Novakovich zgjodhi të shmangte aktivitetet më të lodhshme dhe të shijonte një pushim më të qetë, me not në liqen, shëtitje me varkë dhe degustime djathi. Ajo e përshkruan notin në ujërat e kristalta të liqenit si një mënyrë ideale për t’u çlodhur pas ecjeve.
Për ata që nuk mund të përshkojnë me biçikletë të gjithë qarkun 33 kilometra rreth liqenit të Annecy-t, një alternativë është udhëtimi me varkë, që ofron një tjetër këndvështrim mbi peizazhin. Talloires ndodhet në anën juglindore të liqenit, nën shkëmbinjtë e rezervatit natyror Roc de Chère. Poshtë tyre ndodhet edhe Shpella e Kontrabandistëve, e krijuar brenda shkëmbit. Kudo përgjatë liqenit ka brigje me bar, zona me rërë dhe platforma për not, duke e bërë këtë një destinacion ideal për ata që kërkojnë një pushim veror më të qetë, larg vapës dhe turmave./K.C/dritare.net