Imunologia: Ja çfarë ndodh realisht me sistemin imunitar ndërsa plakeni!
Dritare.net

Ndryshimet që ndodhin në trup me kalimin e viteve prekin edhe mbrojtjen tonë natyrale. Sipas Dr. Natalie Riddell, eksperte në imunologji dhe plakje, sistemi imunitar nuk “bie papritur”, por dobësohet gradualisht, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe më të ngadalshëm në rikuperim.
“Kur jemi të rinj, një virozë e kalon shpejt dhe plagët shërohen pothuajse menjëherë. Me kalimin e moshës, këto procese bëhen më të ngadalta dhe infeksionet zgjasin më shumë,” shpjegon ajo.
Çfarë ndryshon në trup me moshën?
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ulja e qelizave T, të cilat janë përgjegjëse për identifikimin dhe shkatërrimin e viruseve dhe qelizave të dëmtuara. Me kalimin e kohës, trupi prodhon më pak nga këto “qeliza luftëtare”, duke e bërë më të vështirë përballjen me sëmundjet e reja.
“Gjëndra që prodhon këto qeliza fillon të zvogëlohet që në moshë të re, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në fuqinë e imunitetit,” thotë Riddell.
Po ashtu, bie edhe cilësia e antitrupave, proteinat që ndihmojnë trupin të njohë dhe neutralizojë infeksionet. Me moshën, jo vetëm që prodhohen më pak antitrupa, por ato bëhen edhe më pak efikase.
Një tjetër problem është rritja e inflamacionit kronik në trup, i njohur si “inflamaging”. Ky proces lidhet me sëmundje të zemrës, diabet, demencë dhe probleme të tjera serioze.
Si mund ta forcojmë sistemin imunitar?
Sipas ekspertes, lajmi i mirë është se këto ndryshime nuk janë të pandryshueshme dhe mund të ngadalësohen me zakonet e jetesës.
“Trupi reagon shumë ndaj mënyrës si jetojmë. Aktiviteti fizik, ushqimi dhe stresi luajnë rol të madh në shëndetin e imunitetit,” thekson ajo.
Ndër këshillat kryesore janë:
1. Aktiviteti fizik i rregullt
Ecja e shpejtë, noti apo biçikleta ndihmojnë në ruajtjen e qelizave imunitare dhe reduktimin e inflamacionit. Edhe 150 minuta në javë aktivitet mesatar mund të sjellin përfitime të dukshme.

2. Gjumi i mirë dhe menaxhimi i stresit
Stresi kronik dhe mungesa e gjumit e përshpejtojnë plakjen e imunitetit. Pushimi dhe relaksimi ndihmojnë trupin të rikuperohet më mirë.
3. Ushqimi i shëndetshëm
Dieta mesdhetare e pasur me fruta, perime, drithëra dhe yndyra të shëndetshme ndihmon në uljen e inflamacionit dhe forcimin e mbrojtjes natyrale të trupit.
4. Shëndeti i zorrëve
Zorra luan rol kyç në imunitet. Ushqimet me fibra dhe ato bimore ndihmojnë në ruajtjen e mikrobiomës së shëndetshme, e cila ndikon drejtpërdrejt në forcën e sistemit imunitar.

5. Kujdesi për energjinë e trupit
Qelizat me kalimin e moshës prodhojnë më pak energji, ndaj një dietë e balancuar dhe aktiviteti fizik ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të tyre.
Mesazhi kryesor
Dr. Riddell thekson se plakja e imunitetit nuk është e pashmangshme në të njëjtën mënyrë për të gjithë.
“Si jetojmë ka ndikim të madh. Nuk mund ta ndalojmë plakjen, por mund ta ngadalësojmë dhe ta bëjmë trupin më të fortë për ta përballuar atë,” përfundon ajo.
Në thelb, shëndeti imunitar nuk është vetëm çështje moshe, por një kombinim i lëvizjes, ushqimit, gjumit dhe mirëqenies mendore, një investim i përditshëm për një jetë më të shëndetshme./K.C/dritare.net