Na ndiqni edhe në

Shëndet

Sa diell na duhet vërtet? Përfitimet dhe rreziqet e ekspozimit në diell

Për shumë vite, ekspozimi ndaj diellit është konsideruar i rëndësishëm për shëndetin, por këshillat mjekësore kanë ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës. Sot, ekspertët theksojnë se dielli mund të ketë përfitime për organizmin, por ekspozimi i tepërt dhe i pambrojtur mund të jetë i dëmshëm.

Sipas materialit të BBC-së, ekspozimi i moderuar ndaj diellit lidhet me prodhimin e vitaminës D, përmirësimin e humorit, gjumit dhe disa funksioneve të trurit. Megjithatë, rrezet ultravioletë janë gjithashtu një nga faktorët kryesorë të dëmtimeve të lëkurës dhe kancerit të saj.

Pse ka nevojë trupi për diell?

Një nga përfitimet më të njohura të dritës së diellit është ndihma në prodhimin e vitaminës D. Kjo vitaminë luan rol të rëndësishëm në shëndetin e kockave dhe funksionimin e muskujve. Studime të ndryshme kanë gjetur gjithashtu lidhje mes niveleve të vitaminës D dhe disa treguesve të shëndetit.

Drita e ditës mund të ndikojë edhe në ritmin biologjik të trupit. Ekspozimi ndaj dritës së mëngjesit ndihmon trurin të dallojë ditën nga nata, duke ndikuar në hormonet që lidhen me zgjimin dhe gjumin. Drita gjatë ditës është lidhur gjithashtu me përmirësimin e përqendrimit, kujtesës dhe disa funksioneve njohëse.

Ekspozimi ndaj dritës së diellit është lidhur edhe me rritjen e serotoninës, një substancë kimike në tru që ndikon në humor dhe përqendrim. Kjo është një nga arsyet pse mungesa e dritës së ditës mund të shoqërohet me humor të ulët dhe probleme me gjumin.

Sa kohë duhet të qëndrojmë në diell?

Nuk ekziston një kohë e vetme që vlen për të gjithë. Nevoja për ekspozim ndryshon në varësi të tipit të lëkurës, moshës, vendndodhjes gjeografike dhe nivelit të rrezatimit ultraviolet.

Ekspertët e cituar nga BBC rekomandojnë ekspozime të shkurtra dhe të përsëritura, në vend të qëndrimit të gjatë në diell. Për prodhimin e vitaminës D, rrezatimi UVB është më efektiv kur dielli është më i lartë në qiell.

Personat me lëkurë më të çelët mund të kenë nevojë vetëm për disa minuta ekspozim në ditë të caktuara. Ndërsa personat me lëkurë më të errët, për shkak të nivelit më të lartë të melaninës, mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të prodhuar të njëjtën sasi vitamine D.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është Indeksi UV, i cili mat nivelin e rrezatimit ultraviolet që arrin në sipërfaqen e Tokës. Sa më i lartë indeksi, aq më i madh është nevojitet për kujdes dhe mbrojtje nga dielli.

Kur dielli bëhet i rrezikshëm?

Problemi nis kur ekspozimi zgjatet dhe bëhet i pambrojtur. Qëndrimi i gjatë në diell nuk sjell domosdoshmërisht më shumë vitaminë D, por rrit rrezikun për djegie të lëkurës, ndryshime të pigmentimit, plakje të parakohshme dhe kancer të lëkurës.

Ekspertët theksojnë se njerëzit me lëkurë shumë të çelët, shumë nishane ose histori personale apo familjare të melanomës duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Pas ekspozimit të shkurtër, rekomandohet mbrojtja e lëkurës dhe shmangia e ekspozimit të zgjatur.

Edhe sytë duhet të mbrohen nga rrezet ultravioletë. Materiali thekson rëndësinë e syzeve të diellit me mbrojtje të përshtatshme UV.

Ndryshimet klimatike dhe rreziku nga dielli

Sipas materialit, ndryshimet klimatike mund të ndikojnë edhe në ekspozimin ndaj rrezatimit diellor. Temperaturat më të larta, valët e të nxehtit dhe verërat më të gjata mund të bëjnë që njerëzit të kalojnë më shumë kohë jashtë, ndërsa banorët e zonave që tradicionalisht kanë pasur klimë më të freskët mund të jenë më pak të mësuar me masat mbrojtëse.

Ekspozimi ndaj diellit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë të lëkurës. Për këtë arsye, mbrojtja nga rrezet UV në moshë të re është një pjesë e rëndësishme e parandalimit.

Mesazhi kryesor i ekspertëve është se nuk ka nevojë të shmangim plotësisht diellin, por as të ekspozohemi për periudha të gjata pa mbrojtje. Ekspozimi i shkurtër dhe i moderuar mund të ndihmojë në marrjen e vitaminës D dhe të ketë përfitime të tjera, ndërsa ekspozimi i zgjatur rrit rreziqet për lëkurën.

Prandaj, këshilla është të përfitojmë nga drita e ditës në mënyrë të moderuar, duke marrë masa mbrojtëse dhe duke shmangur qëndrimin e gjatë në diell, veçanërisht kur niveli i rrezatimit UV është i lartë./L.F-dritare.net