Rama: Pjesëmarrja e fëmijëve në protesta të dhunshme, shqetësuese
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si është trajtuar dhuna gjatë protestave të fundit në vend. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama deklaroi se aktet e dhunshme janë justifikuar dhe madje glorifikuar, ndërsa autorët e tyre, sipas tij, janë paraqitur në media si qytetarë që luftojnë për një kauzë të drejtë.
“Ky këshill merr rëndësi të veçantë si një tryezë ku vështrimet e ndryshme na ndihmojnë të gjithëve të ndërtojmë një qasje që duhet t’i përshtatet mësimeve të këtij momenti. Unë besoj dhe ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem. Të gjithë dhunuesit duhet të jenë përgjegjës ndaj asaj që kryejnë. Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo, që mund të shihet si pengesë, që mund të cenoje lirinë e tjetrit. Përpara se këta fëmijë të mendojmë t’i dënojmë, duhet të mendojmë si të neutralizojmë burimet, nga ata joshen me dhunën. Përpara se të gjejmë se kush i përdori, duhet t’i ndihmojmë që të ikin nga kjo rrugë. Nëse për një të rritur, dënimi i merituar dhe izolimi e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit në raport me sigurinë, për një të mitur duhet më tepër kujdes.”, tha Rama./K.C/dritare.net