Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protesta e së shtunës/ Ambasada Amerikane mesazh qytetarëve të saj

Protesta e së shtunës/ Ambasada Amerikane mesazh qytetarëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, në prag të demonstratës së paralajmëruar për të shtunën.

Në një njoftim për sigurinë, ambasada thekson se protestat në kryeqytet, veçanërisht pranë institucioneve qeveritare, kanë vijuar të shoqërohen me episode dhune, përfshirë përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës.

Sipas paralajmërimit, demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Ato mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të qarkullimit dhe mbyllje të akseve rrugore.

Ambasada paralajmëron se personat që ndodhen pranë protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, mjeteve ndezëse dhe predhave të gomës. Për këtë arsye, personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.

Në njoftim bëhet e ditur se mund të ketë gjithashtu mbyllje ose kufizime të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare.

Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin protestat, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve, si dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth. Ata këshillohen të kenë gjithmonë një plan emergjence për t’u larguar nga zonat ku mund të zhvillohen demonstratat./dritare.net