Qifqi Gjirokastre

Recetë karakteristike e qytetit të Gjirokastrës. Amvisat e këtij qyteti i përagatisin shpesh me pilafin e ngelur nga një vakt i mëparshëm. Shumë e lehtë në përgatitje dhe me fare pak kalori. Mund të shoqërohen me kos ose dhallë.
Përbërësit
  • 500 gr oriz (ose dy gota uji të mbushura plot me oriz)
  • 4 kokrra vezë
  • një dorë nenexhik (dhjozmë)
  • sipas dëshirës piper i zi
  • kripë
  • vaj ulliri
Përgatitja
1. Vendosim në zjarr një enë me ujë (ku do ziejmë orizin), i hedhim kripën dhe e lemë derisa të vlojë. Pastaj shtojmë orizin dhe e lemë të ziejë për rreth 12 min. Pasi të ketë zierë, e lemë që të ftohet pak.
2. Ndërkohë, në një enë fillojmë të rrahim vezët.
3. Vezëve u shtojmë nenexhikun (ose dhjozmën, siç i thonë gjirokastritët) dhe pak piper të zi të grirë. Vazhdojmë dhe e trazojmë masën.
4. Në enën ku po rrahim vezët shtojmë orizin dhe e trazojmë me kujdes, në mënyrë që orizi të lidhet plotësisht me masën e parë.
5. Vendosim në zjarr tiganin me gropëza (tigan i posaçëm për qifqi) dhe mbushim gropëzat me vajin e ullirit. E lemë derisa vaji të nxehet mirë.
6. Marrim me lugë nga masa e orizit me vezë, nenexhik e piper, dhe mbushim gropëzat për ta skuqur.
7. Pas njëfarë kohe, i kthejmë nga ana e kundërt, në mënyrë që të skuqet edhe pjesa e përparme.
8. Pasi kanë marrë ngjyrë, i heqim nga zjarri dhe qifqitë janë gati për t’u konsumuar./shije.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.