Qendra Kombëtare e Urgjencës: Mos bllokoni ambulancat, vonesat mund të kushtojnë jetën
Dritare.net

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka reaguar pas incidentit të regjistruar gjatë protestës, ku një ambulancë u bllokua nga disa protestues.
Në një deklaratë për mediat, QKUM thekson se ambulancat dhe ekipet mjekësore janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë urgjente, duke paralajmëruar se pengimi i tyre mund të rrezikojë jetën e pacientëve.
Sipas QKUM-së, gjatë protestave ekipet e Urgjencës Mjekësore qëndrojnë në gatishmëri për t'iu përgjigjur çdo rasti emergjent, ndërkohë që vijojnë të përballojnë edhe fluksin e zakonshëm të urgjencave.
Në Tiranë, krahas 250–280 vizitave dhe ndërhyrjeve që kryhen mesatarisht çdo ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita në ditë.
QKUM nënvizon se çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson dhënien në kohë të ndihmës për personat në rrezik.
Për këtë arsye, institucioni u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të respektojnë ambulancat, të mos pengojnë qarkullimin e tyre dhe të mos cenojnë punën e personelit shëndetësor.
Sa u përket pretendimeve për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre, QKUM thekson se ato duhet të trajtohen mbi bazën e fakteve dhe të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.
“Ambulancat janë në shërbim të jetës. Mos i pengoni. Çdo vonesë mund të kushtojë një jetë”, përfundon deklarata e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, e datës 17 tetor 2026.