Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hita sqaron përdorimin e plumbave të gomës në protestë: Policia përdori mjete të certifikuara

Hita sqaron përdorimin e plumbave të gomës në protestë:

Kryepolici Skënder Hita ka reaguar lidhur me përdorimin e fishekëve të gomës gjatë protestave në Tiranë, duke deklaruar se Policia ka përdorur në mënyrë të kufizuar mjete të lejuara dhe të certifikuara.

Sipas Hitës, gjatë përplasjeve, disa protestues kanë qëlluar në drejtim të efektivëve me vida dhe zara metalikë, duke shkaktuar dëmtime te punonjësit e Policisë.

“Mjetet dhe pajisjet policore të lejuara, që janë përdorur, janë përdorur në mënyrë të kufizuar, pasi nga ana jonë përdoren mjete të përcaktuara, si në të gjitha vendet e BE-së. Policia përdor vetëm pajisje të certifikuara për këtë qëllim”, u shpreh Hita.

Ai theksoi gjithashtu se nuk duhet të përgjithësohet sjellja e një grupi të vogël protestuesish, duke bërë dallimin mes atyre që protestojnë në mënyrë paqësore dhe personave që përfshihen në akte dhune.

Hita bëri me dije se disa punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar nga sendet metalike të hedhura gjatë protestës. Sipas tij, një prej efektivëve ka pësuar dëmtime të rënda në gojë dhe nofull, me fraktura të shumta.

"Dua të theksoj se, gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikaë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera.

Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital", u shpreh drejtori i Policisë./L.F-dritare.net