Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Newsweek: Aktivistja Evi Kokalari ekspozon lidhjet e vajzës së shefes së kabinetit të Trumpit

Newsweek: Aktivistja Evi Kokalari ekspozon lidhjet e vajzës së shefes


Revista amerikane Newsweek i ka kushtuar një artikull Katie Wiles, vajzës së Susie Wiles, shefes së kabinetit të Donald Trumpit, pas publikimit të një fotografie ku ajo shfaqet në një poligon qitjeje, duke mbajtur një pushkë pranë Željko Budimir, ministrit të Brendshëm të Republikës Srpska, një rajon i Bosnjë-Hercegovinës me lidhje të ngushta politike me Rusinë.

Fotografia u bë virale pasi u publikua nga aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari, e cila i kërkoi presidentit Trump të mos konsultohej me Susie Wiles për çështje që lidhen me Bosnjë-Hercegovinën.

Në reagimin e saj, Kokalari shkruan:

“Donald Trump nuk duhet të konsultohet me Susie Wiles për çështjet që lidhen me Chris LaCivita-n, James Blair-in (të dy bashkëpunëtorë të Susie Wiles) dhe Bosnjë-Hercegovinën, pasi vajza e saj, Katie Wiles, është gjithashtu e përfshirë në këto veprimtari të çmendura lobimi me Milorad Dodikun pro-rus. Njerëz nga rajoni po më raportojnë se Katie Wiles ka punuar prej muajsh për Milorad Dodikun dhe këtu kemi një konflikt të madh interesi”, shkruante Evi Kokalari.

Kokalari ngre gjithashtu pikëpyetje për takimin e Željka Cvijanović, kandidates serbe, me Susie Wiles në Shtëpinë e Bardhë më 21 shtator.

“Kjo do të shpjegonte pse Željka Cvijanović, kandidatja serbe që ‘fitoi’ zgjedhjet presidenciale pak ditë më parë në Bosnjë, ishte në Shtëpinë e Bardhë më 21 shtator, ku u takua me Susie Wiles dhe bëri fotografi që i përdori në fushatën e saj zgjedhore disa ditë më vonë.

Kjo ngre pikëpyetje serioze për ndërhyrje në zgjedhjet e një vendi të huaj dhe kjo është absolutisht e gabuar, veçanërisht pasi presidenti Trump duket qartë se nuk kishte dijeni për atë që po ndodhte. Këto fotografi të vajzës së Susie Wiles në Republikën Srpska janë të gushtit të kaluar.”

Sipas Newsweek, pretendimet e Kokalarit kanë nxitur pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi, por ato nuk paraqiten në artikull si fakte të verifikuara në mënyrë të pavarur.

Nga ana tjetër, kompania e lobimit Continental Strategy, ku Katie Wiles është partnere, konfirmoi se ajo kishte vizituar rajonin në mesin e gushtit për arsye pune. Sipas kompanisë, Wiles kishte qëndruar dy ditë në kuadër të një angazhimi profesional dhe nuk kishte diskutuar me zyrtarë të qeverisë amerikane për çështje që lidhen me Republikën Srpska./dritare.net