Hita: Po identifikojmë grupet në Telegram që bëjnë thirrje për dhunë ndaj policisë!
Dritare.net
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka denoncuar thirrjet për sulme ndaj efektivëve të Policisë që, sipas tij, po publikohen në grupe të hapura së fundmi në Telegram.
Në një konferencë për mediat, Hita deklaroi se në këto grupe po nxitet përdorimi i mjeteve të ndryshme për të sulmuar punonjësit e Policisë, përfshirë sende të forta, lëndë djegëse dhe plasëse.
Sipas tij, edhe gjatë paradites së sotme janë publikuar mesazhe që u bëjnë thirrje protestuesve të maskuar të sigurojnë mjete për të sulmuar efektivët dhe për t'u vënë zjarrin automjeteve të Policisë.
“Përballë kësaj situate, në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit ka marrë masat për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këto veprime”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë theksoi se institucionet ligjzbatuese po punojnë për identifikimin e personave që qëndrojnë pas këtyre thirrjeve, duke paralajmëruar reagim ligjor ndaj çdo akti kriminal.
Ai nënvizoi se qëllimi i masave të marra është mbrojtja e punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private./L.F-dritare.net