Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PS çon në Kuvend draftin për pagat e magjistratëve. Në seancë edhe kryeministri

Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve është zhvendosur këtë të enjte në Kuvend, ku mazhoranca ka paraqitur formulën e saj për rritjen e pagës referuese të magjistratëve. Propozimi i socialistëve parashikon një shtesë prej rreth 8 500 lekësh, shumë më poshtë nivelit të kërkuar nga magjistratët dhe të mbështetur nga KLGJ-ja dhe KLP-ja.

Në emër të mazhorancës, deputetja Aulona Bylykbashi mbrojti formulën e propozuar, duke argumentuar se koeficienti 0.38 është zgjedhur për të gjetur një ekuilibër mes vendimmarrjes së gjykatës, trajtimit financiar të magjistratëve dhe kostos që do të përballojë buxheti i shtetit.

“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike”, deklaroi Bylykbashi.

Formula e propozuar do të ketë efekt financiar që prej 1 prillit 2023. Kjo do të thotë se do të krijohen edhe detyrime të prapambetura për periudhën deri më 31 korrik 2026, të cilat, sipas projektligjit, do të paguhen gradualisht brenda një afati maksimal prej dy vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Por propozimi ka përplasur mazhorancën me opozitën. Gazment Bardhi deklaroi se PD-ja nuk do ta mbështesë projektligjin, ndërsa akuzoi shumicën socialiste se me ndërhyrjen në çështjen e pagave po sfidon rendin kushtetues.

“Ju keni vendosur jo të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni rendin kushtetues në vend. Keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që në vitin 2017 lidhur me këtë çështje”, tha Bardhi, duke paralajmëruar votën kundër të demokratëve.

Në qendër të debatit mbetet diferenca mes formulës së propozuar nga PS-ja dhe pretendimit financiar të magjistratëve. Ndërsa mazhoranca argumenton se zgjidhja duhet të marrë parasysh edhe përballueshmërinë e buxhetit të shtetit, magjistratët kërkojnë një rritje rreth nëntë herë më të madhe se ajo që parashikon drafti.

Diskutimi zhvillohet pas një debati të gjatë publik për pagat në sistemin e drejtësisë. Në sallën e Kuvendit, gjatë shqyrtimit të projektligjit, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama./dritare.net