
Dosja e Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Ja akuzat!
Dritare.net
Irena Gjoka është caktuar me short si gjyqtarja e seancës paraprake për dosjen Meta. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Të pandehur për dosjen Meta, përveç ish presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, janë marrë edhe nëna e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje. Dy ditë më parë, teksa u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje, Kryemadhi hodhi akuza për intimidim dëshmitarësh dhe tha se nuk do të kërkonte gjykim të shkurtuar.
Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Meta ka kërkuar lirinë me argumentin se hetimet janë mbyllur dhe nuk ka rrezik për prishje provash. Më 8 shtator, në Apelin e Posaçëm do të shqyrtohet ankimimi i Metës kundër vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, i cili nuk pranoi të zëvëndësonte masën e sigurisë “arrest me burg” me një tjetër masë më të lehtë sigurie.
Mbrojtja e Metës, në kërkesën e depozituar në gjykatë, tha se rreziku i prishjes së provave ishte një alibi ndërsa argumentin se mund të intimidojë dëshmitarët e konsideroi si lajthitje. /dritare.net

















