Na ndiqni edhe në

Politikë

Artur Zheji ndërroi jetë. Rrëfimet intime për nënën, babain dhe fëmijërinë e tij

Artur Zheji ndërroi jetë. Rrëfimet intime për

Gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji ndërroi jetë sot, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën publike dhe kulturore shqiptare. Pak kohë më parë, në një intervistë të gjatë per Roland Qafokun ne Dritare Tv ai ndau disa nga kujtimet më të thella dhe intime të familjes së tij, që sot marrin një vlerë të veçantë.

Zheji foli me mall për nënën e tij, aktoren e madhe Besa Imami, e cila luajti rolin e Donikës në filmin historik Skënderbeu. Ai tregoi se si regjizori rus Jutkoviç e kishte zgjedhur me ngulm për atë rol, duke parë tek ajo fisnikërinë dhe aristokracinë që kërkonte personazhi.

“E shihte në kamera dhe thoshte: Kjo është mbretëresha e shqiptarëve,” – kujtonte Zheji.

Ai ndau edhe kujtime të dhimbshme nga jeta e saj, duke treguar sesi kishte kaluar sëmundjen dhe internimin, por edhe kujdesin e tij të madh në vitet e fundit të jetës:

“E kam parë të vogël, të brishtë, dhe unë isha bërë i vogël si ajo… deri aty sa edhe pirunin doja t’ia çoja vetë.”

Një tjetër figurë e rëndësishme në jetën e tij ishte i ati, Petro Zheji, filozof dhe përkthyes, të cilin e përshkruante si një shok e udhërrëfyes më shumë sesa si një baba autoritar. Kujtonte fjalët e tij:

“Nëse ndjek sistemin, do të bëhesh mediokër. Nëse e sfidon, do të bëhesh dikushi.”

Në intervistë, Zheji rrëfeu edhe fëmijërinë mes librave, artit dhe bisedave me intelektualët e kohës. Ai fliste me një mall të pashuar për brezin e artë të aktorëve shqiptarë, me të cilët ishte rritur: Marie Logoreci, Pjetër Gjoka, Prokop Mima.

Këto rrëfime, mes kujtimeve dhe emocioneve të tij familjare, e tregojnë një Zheji më njerëzor, larg politikës dhe debateve televizive. Një bir i përkushtuar, një shok i kujdesshëm, një njeri që mbeti deri në fund i lidhur me rrënjët dhe familjen e vet./dritare.net