Për ata që thërrasin "Shqipëria është e jona" dhe linçojnë shqiptarët
Dritare.net

Nga Mero Baze
Pas fasadës së një proteste qytetare e cila në thelbin e saj përfaqëson perceptimin e një pjese të qytetarëve shqiptarë se janë të përjashtuar nga qeverisja, kanë nisur të shfaqen shenjat e para të linçimit publik në emër të protestës. Pas fasadës së atyre që u japin lule policëve në bulevard, kanë nisur të shfaqen ata që dhunojnë pronën dhe policin dhe sulmojnë çdo kënd që nuk mendon si ata, qofshin këta politikanë, personalitete publike, shkrimtarë, gazetarë apo profesionistë të suksesshëm, që duket sikur dështakëve dhe njerëzve gjysmë të realizuar që vetëshpallen udhëheqës të revolucionit u kanë zënë hisen e diellit.
Sot në Rrjoll, një turmë e zemëruar protestuesish që kanë muaj që kërkojnë që dikush t'i shpallë pronarë të një toke me pronarë, shumë nga të vetëshpallurit udhëheqës të protestës në Tiranë udhëhoqën shkatërrimin e gardhit rrethues të kantierit të ndërtimit të një kompanie që ka marrë leje ndërtimi mbi pronën e një qytetari privat.
Precedenti që po krijohet në emër të protestës është më shumë se sa linçim i pronës private dhe kapitalit shqiptar. Ata që thërrasin "Shqipëria është e jona", duhet ta dinë se kjo nuk nënkupton që pronat janë të protestës. Ato janë të pronarëve. Dhe tribuna e protestës nuk mund të kthehet as në zyrë hipoteke, as në institucion linçues për këdo që nuk u pëlqen atyre që manipulojnë me qytetarët në protestë.
Protesta është e mirëpritur si standard demokracie, jo si standard linçimi. Nuk di se çfarë leksioni i japin biznesit dhe kapitalit shqiptar ata protestues që sa shikojnë një gardh si kantier ndërtimi i turren ta shkatërrojnë në emër të protestës qytetare. Investitori nuk i ka marrë tokën askujt.Ajo tokë ka një pronar të ligjshëm që e ka trashëguar tokën prej 100 e ca vjetësh pa ia marrë askush përveç regjimit komunist dhe ka lidhur një kontratë zhvillimi me të. I mirëkuptoj ata që pretendojnë pronën, por ata e kanë betejën me pronarin, jo me investitorin.
Krijimi i një fryme linçuese ndaj investitorëve shqiptarë, jo vetëm që nuk është një akt patriotik siç kanë qejf të këndojnë udhëheqësit e protestës, por është një akt i tradhtisë kombëtare pasi është duke i thënë biznesit të madh shqiptar të marrë lekët që ka fituar këtu e të ikë jashtë në një vend ku ndjehen më të sigurt si investitorë. Dhe kjo është një tradhti e dyfishtë.
Lekët e një gardhi janë shumë pak lekë për një investitor, dhe as i hyjnë në punë, por pasiguria për të investuar në Shqipëri është një minë me sahat, që po kurdiset nën petalet e luleve në bulevard, nën maskat e një proteste paqësore që në fakt është e mbushur me urrejtje dhe frymë linçuese ndaj kujtdo që nuk është dakord me ta.
Kurrë në Shqipëri, përveç bandave të vitit 1997, në krye të të cilave ishte po Fatos Lubonja, bashkë me ata që ka rrotull, nuk ka pasur kaq urrejtje dhe kaq përpjekje për të frikësuar gjithkund që është kundër tyre. Por bandat e 97 janë ende në burg, kurse Fatos Lubonja është i lirë.
Këta që këndojnë "është e jona Shqipëria", ndoshta mendojnë se është vërtet e tyre çdo pëllëmbë toke e Shqipërisë, dhe çdo pasuri e këtij vendi, por duhet të zgjohen nga kjo ëndërr. Ata janë pronarë vetëm të zemërimit të tyre që ndoshta është i drejtë deri aty ku kthehet në linçim dhe shkatërrim për pronën e tjetrit, për biznesin shqiptar dhe mbi të gjitha për sigurinë juridike për të investuar në Shqipëri.
Aleanca botërore kundër Jared Kushnerit e cila gjeti Shqipërinë si tokë për protestë, e shoqëruar me këngën e Konstandinos Shqipëria e re, për Selam Musain, tani po kthehet në një fushatë shkatërruese dhune dhe banditizmi ndaj investitorëve shqiptarë.
Aq e rëndë është bërë kjo sa duket si akti patriotik të thuash që biznesmenët e mëdhenj shqiptarë nuk janë armiq por njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë shqiptare. Për një moment duket sikur ky vend pas këtij revolucioni do zhvillohet nga blogerë, gazetarë protestues, gazetarë OJQ dhe ambasadash, që i lëpihen sponsorit dhe bëjnë cubin me kapitalet e shqiptarëve,propagandistë partish opozitare dhe producentë të videove të tyre, dhe jo nga ata që investojnë milionat e tyre për të bërë ekonominë shqiptare, për të punësuar njerëz dhe për të çuar Shqipërinë në një stad të ri të zhvillimit ekonomik.
Ajo që ndodhi sot në Rrjoll duhet të dënohet në Tiranë. Duhet të dënohet në tribunën e protestës. Ajo tribunë nuk mund të kthehet në një vend ku jepen certifikata pronësie, leje për biznese siç është kthyer në një tribunë ku jepen "fatwa" për biznesmenë, gazetarë, personalitete publike apo politikanë që nuk u pëlqejnë protestuesve. Ata kanë të drejtën e tyre të mos i pëlqejnë, madje kanë të drejtë të angazhohen kundër tyre, por jo të përdorin heshtjen e protestës si vend nga urdhërohen linçime për secilin që ka dëshirë.
Unë nuk jam një mik i Ben Blushit dhe nuk kam asnjë konfidencë me të, por jam një kritik i ashpër i tij, por gjuha e urrejtjes ndaj tij drejtuar nga protesta është një akt turpi.
E njëjta është ajo parrullë e ndyrë kundër botuesit Carlo Bolino, e paguar nga familja Berisha që tundet në protestë duke e fyer me gjuhë raciste se është italian "që po u pi gjakun shqiptarëve". Është një racizëm i ndyrë që na turpëron të gjithëve, dhe sidomos ata gazetarë janë kthyer në protestues, dhe japin leksione për profesionalizëm.
Shumica e gazetarëve të redaksisë sime janë me protestën dhe në protestë, por kjo nuk më pengon mua t'i kem në punë.Po të kisha frymën e protestës gjoja qytetare, duhet t'i kisha pushuar të gjithë. Por nuk jam revolucionar. Besoj tek evolucioni i shoqërisë dhe i urrej revolucionet.
E vetmja protestë ku kam marrë pjesë ka qenë nga 9 deri më 11 dhjetor 1990 dhe keni 35 vite që na bëni gjyqin për të. Tani doni të ktheheni tek koha e para Dhjetorit '90, kur çdo kush që mendonte ndryshe nga revolucioni linçohej, shpronësohej dhe ndoshta pushkatohej.
Komunistët në vitin 1944, para se të merrnin Tiranën, lëshuan urdhra likuidimi për intelektualët e Tiranës dhe ata pak gazetarë që ishin dhe i vranë të gjithë para 29 Nëntoritnë kafe "Kursal".
Ngazëllimi i protestuesve se tani jo vetëm Shqipëria është e tyre por dhe ligji dhe qeverisja e vendit është në duart e tyre, është një delir, për të cilin do të pendohen shpejt pas disa muajsh e do thonë kjo nuk u bë në emrin tim.
E kam provuar këtë ndjesi disa herë në këtë vend pasi flaka e revolucionit bie dhe revolucionarët bëhen prapë njerëz të thjeshtë. Nuk ka gjë më të lehtë se sa ta ndash shoqërinë në këtë moment mes atyre që duan të linçojnë dhe atyre që janë në punë të tyre. Është një betejë që e ka të sigurt rezultatin e distancimit të Shqipërisë nga kjo bandë revolucionarësh. Është mënyra më e mirë për ta vrarë atë ndjesinë e bukur të një proteste qytetare e cila vërtet përfaqëson një pjesë të margjinalizuar të shoqërisë shqiptare.
Por në emër të kësaj proteste nuk mund të ketë linçim. Qeveria duhet t'u dalë zot investitorëve dhe shtetit ligjor edhe përballë revolucionarëve që mendojnë se "ka ardhur dita" meqë u kanë ardhur ushtarët e Albin Kurtit për t'i udhëhequr. Dhe nëse qeveria nuk ia del dot, pastaj mund t'ia dalë secili me duart e veta. Por ajo nuk është më protestë qytetare por luftë qytetare. Mos e ndillni atë!/tema.net