Pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Haga hap procedurën për dëmshpërblimin e viktimave!
Dritare.net

Vetëm një ditë pasi dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Gjykata Speciale ka nisur edhe procedurën për dëmshpërblimin e viktimave të krimeve për të cilat ata u shpallën fajtorë.
Trupi Gjykues ka vendosur që kërkesat për zhdëmtim të mos kalojnë nëpër gjykatat civile të Kosovës, por të shqyrtohen nga vetë Dhomat e Specializuara. Sipas gjykatës, kjo është rruga më efektive për mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e anonimatit të tyre.

Në vendim thuhet se dërgimi i viktimave në gjykatat e Kosovës mund të cenojë masat mbrojtëse që u janë garantuar gjatë procesit, ndaj Dhomat e Specializuara e konsiderojnë veten forumin më të përshtatshëm për të vendosur mbi zhdëmtimin.
Megjithatë, procedura nuk është mbyllur ende. Avokatët e mbrojtjes kanë afat deri më 22 shtator për të kundërshtuar këtë vendim. Nëse nuk paraqiten kundërshtime, Gjykata do të vijojë me fazën e shqyrtimit të kërkesave për dëmshpërblim.

Po ashtu janë caktuar edhe afatet për paraqitjen e provave. Mbrojtja e Viktimave duhet të njoftojë deri më 22 shtator çdo ndryshim në provat që do të paraqesë, ndërsa raportet e ekspertëve dhe provat e tjera duhet të dorëzohen deri më 7 tetor.