Pas arrestimit të ish-kreut të SHISH, Rama: Masë ekstreme, por s’kam të drejtë të ndërhyj!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama është kthyer në Tiranë pas vizitës 6-ditore në SHBA, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Menjëherë pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, Rama u ndal te zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror.
Rama e cilësoi si një “masë ekstreme” vendosjen e arrestit shtëpiak, duke theksuar se bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm të sigurisë kombëtare.
“Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm”, u shpreh kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur SPAK po zhvillon hetime lidhur me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Sipas materialit të publikuar, ajo dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Kryeministri theksoi se nuk do të ndërhyjë në procesin gjyqësor dhe se çdo akuzë duhet të trajtohet përmes një procesi të paanshëm.