Na ndiqni edhe në

Opinione

Kur loja bëhet përbindësh

Kur loja bëhet përbindësh

Nga Kujtim Gjoni

Kur loja është aq banale sa një lojë nervash rrugaçësh, përfundimi i natyrshëm nuk është më një incident i izoluar, por pasqyrë e një kulture në rënie të lirë. Dhe kjo që po ndodh në formatet e ashtuquajtura reality show, si Big Brother VIP, është më shumë sesa argëtim i shfrenuar: është një eksperiment social i deformuar, i ndërtuar mbi tension, instinkt, provokim dhe humbje të kontrollit njerëzor.

Rasti i fundit, ku një pjesëmarrës në një reality show godet me grusht një tjetër — të dy pjesë e së njëjtës lojë të manipuluar emocionalisht — nuk është rastësi. Është rezultat logjik i një mjedisi të dizenjuar me kujdes për ta shtyrë njeriun në kufijtë e vet, për të testuar durimin, moralin dhe frenat e karakterit të tij. Dhe kur frenat degradojnë, gjithçka mund të ndodhë.

Kjo “ipokulturë” e re që kultivohet nga prodhuesit mediatikë nuk synon më të edukojë apo të nxisë reflektim. Ajo synon të prodhjë përbindësha emocionalë, ku nuk dihet më se kush është më fajtor: provokuesi i dhunës apo dhunuesi vetë. Sepse gjithçka ndodh në një arenë të caktuar nga producentët, ku ka fitim vetëm kur ka kaos, dramë dhe shpërthim.

Në këtë lojë, nuk ka më viktima të pastra, dhe ndoshta as fajtorë të vetëm. Të gjithë janë bashkëfajtorë — si lojtarët që bien në kurthin e instinktit, si publiku që e konsumon këtë dhunë me kërshëri, dhe si sistemi që e shet atë si argëtim.

Ajo që ndodh në ekran, nuk është më lojë; është një gladiaturë moderne, ku njerëzit ndeshen për spektakël dhe për klikime, ndërsa ne, si publik, jemi shndërruar në shikues pasivë të një procesi të dëmshëm normalizimi të agresionit, vulgaritetit dhe ligësisë.

Ndoshta nesër do të provojnë të fusin në një krevat një mashkull dhe një femër — ose të gjithë bashkë, lakuriq — dhe ai që do t’i dorëzohet instinktit, të dënohet për përdhunim. Kufijtë moralë shtyhen çdo ditë më tej, dhe gjithçka arsyetohet në emër të “lojës”.

Kur bëhet një lojë me VIP-a, ajo duhet të jetë arenë ku shkëlqen arti, kultura, diskutimi, mendimi kritik — elemente që edukojnë publikun dhe ndikojnë në ndërtimin e refleksave civilizuese. Por kur loja bëhet e përqendruar në provokim rrugësh, në lehashllëk dhe tension banal, ajo nuk ka më vend në ekranin e një shoqërie që pretendon të jetë moderne.

Për këto raste, ndoshta do të duhej një tjetër format — ndoshta një Big Brother Burg, ku njerëzit nuk luftojnë për famë, por për mbijetesë dhe ku maskat bien me të vërtetë.

Deri atëherë, sa herë që shohim një tjetër shpërthim dhune të programuar, një tjetër emocion të shtirur, një tjetër lojë të kalbur, le të pyesim veten: kush po argëtohet në të vërtetë? Dhe kush po shkatërrohet ngadalë?/dritare.net