
Brezi i ri flet shqip, por shkruan një gjuhë tjetër
Dritare.net
Nga Teuta Toska
Brezi i të rinjve apo i adoleshentëve në Shqipëri ka zgjedhur vetë të shkruajë një shqipe TJETËR. Në mënyrë të vetvetishme ata kanë krijuar një kod tjetër shkrimor, që është veçse shkrimor. Ai nuk e tejkalon tekstin e shkruar në aplikacionin/aplikacionet e përdorur për të arritur të folurit. Ai nuk ndërhyn tek të folurit, madje (në pjesën më të madhe të përdoruesve) as te shkrimi i njësuar (standardi) i shqipes.
Të folurit dhe të shkruarit e shqipes është diçka TJETËR. Por, nevoja për të qenë NDRYSHE nga të rriturit dhe përdoruesit e tjerë të rrjetit ka bërë që të krijohet një mënyrë tjetër për të shkruar. Duke u nisur edhe (1) nga kushte të caktuara teknologjike, (2) nga oferta e komunikimit (nga operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri) dhe nevoja për të arritur shpejtësinë e të folurit përmes të shkruarit (dhe të lexuarit të mesazhit).
Edhe të rinjtë sot në Itali zgjedhin, gjithashtu, të shkruajnë NDRYSHE nga brezi i të rriturve. Këta para disa vitesh "shpikën" një kod të shtrënguar nga fakti se çdo shkronjë kushtonte para. Kështu u ndërtua një listë e jashtëzakonshme fjalësh të shkurtuara, që ishin në fakt shkrimi tipik në celular e mjetet e bisedave të shkruara (chat). Të rinjtë në Itali sot zgjedhin të shkruajnë një italishte me forma të plota fjalësh, duke respektuar rregulla drejtshkrimi e pikësimi dhe shkrimin e të rriturve e konsiderojnë si të shëmtuar dhe të papranueshëm. Sigurisht, tani kemi ofertë tjetër komunikimi, pajisje më të përshtatura teknologjike për një shkrim sa më të mirë dhe, mbi të gjitha, nevojën për të qenë NDRYSHE, gjithnjë./Marrë nga Facebook-u i autores

















