OKB reagon për protestat në Tiranë: Shmangni dhunën dhe angazhohuni në dialog
Dritare.net

Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë reaguar për protestat në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve. OKB-ja u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Deklarata e plotë e OKB-së:
“Kombet e Bashkuara në Shqipëri shprehin shqetësimin për aktet e fundit të dhunës dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Rikonfirmojmë rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të tubimit paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe të garantimit të sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Theksojmë rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit, respektimit të garancive për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga dhuna, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të angazhimit të përbashkët për paqen dhe shtetin e së drejtës”./L.F-dritare.net