Norvegjia i bën “haletë përsëri madhështore” pas fyerjes së Trump
Dritare.net

Nga Jon Henley, korrespondent për Europën, The Guardian
Disa mund ta konsiderojnë jashtëzakonisht të pakëndshme të quhen nga Donald Trump një “vend haleje”. Por jo agjencia norvegjeze e turizmit, e cila zgjodhi, përkundrazi, të ngrinte kapakun e disa prej tualeteve më të bukura të vendit.
“A janë këto haletë më të mira në botë?”, pyeti Visit Norway në faqen e saj të internetit, disa ditë pasi presidenti amerikan kishte shfryrë edhe një herë zemërimin e tij për mosfitimin e Çmimit Nobel për Paqen, duke e përshkruar Norvegjinë si një “vend haleje” gjatë një mitingu të dielën.
“Norvegjia i bën haletë përsëri madhështore!”, vazhdoi agjencia, mbi fotografitë e disa prej tualeteve publike më mbresëlënëse të vendit, duke shtuar: “Këto tualete ia vlejnë të vizitohen, si kur keni vërtet nevojë t’i përdorni, ashtu edhe kur nuk keni.”
Trump e kishte mbajtur tiradën e tij gjatë një mitingu në Miçigan, disa ditë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
“Të them të drejtën, Norvegjia është për faqe të zezë. Norvegjia është bërë një vend haleje, në fakt”, deklaroi ai, duke përdorur një term që më parë e kishte përdorur për Haitin, Libinë, Somalinë dhe Jemenin.
Ai shtoi se do t’i mirëpriste emigrantët nga disa vende, por jo nga Norvegjia, “sepse nuk e mora Çmimin Nobel”.
Më herët gjatë këtij muaji, Trump kishte denoncuar vendimin për t’ia dhënë çmimin Navi Pillay, një ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
“Kjo është një njollë e pashlyeshme mbi vendin e Norvegjisë dhe mbi ata njerëz që morën një vendim kaq të turpshëm dhe poshtërues”, tha ai.
“Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë person. Çmimi Nobel për Paqen është diskredituar përgjithmonë… Dhe ne nuk do ta harrojmë, Norvegji.”
Përgjatë 18 rrugëve të përcaktuara si rrugë panoramike në të gjithë Norvegjinë, tha Visit Norway, arkitektëve të njohur u ishte ngarkuar detyra të shndërronin tualetet modeste buzë rrugës në atraksione më vete. Disa prej tyre kanë fituar që atëherë çmime ndërkombëtare arkitekture.
“Ato ju ftojnë të merrni kohën tuaj dhe të shijoni peizazhin, edhe nëse nuk keni ndonjë nevojë për të kryer”, tha Visit Norway, duke veçuar, ndër të tjera, tualetet në pikën panoramike Stegastein, në rajonin Sognefjord të Norvegjisë perëndimore.

Ky tualet i veçantë, vuri në dukje me krenari të papërmbajtur agjencia turistike, ishte renditur mes 10 tualeteve publike më të mira në botë nga DesignCurial, revista online për arkitekturën, dizajnin dhe ambientet e brendshme.
Duke kombinuar linja të pastra minimaliste me peizazhin e ashpër dhe hijerëndë të fjordit, këto tualete janë të famshme për dritaret e tyre të mëdha prej xhami të errët, të cilat u mundësojnë vizitorëve një pamje të gjerë nga “froni”, ndërkohë që mbeten të padukshëm nga jashtë.

"Tualeti i artë” në Ersfjordstranda, në ishullin Senja.
Gjithashtu përmenden tualetet moderne minimaliste me energji diellore në pikën panoramike Utsikten, tualeti i Tungeneset, “i denjë për Instagram” (“duket mjaft bukur nën dritat veriore”), si dhe “tualeti i artë” trekëndor, me famë botërore, në ishullin Senja.
Jens Kjeldsen, profesor i retorikës në Universitetin e Bergenit, tha se, në këto rrethana, përgjigjja e Visit Norway ishte gjykuar shumë mirë.
“Është si me bullizuesin në kopsht”, i tha ai televizionit publik NRK. “Nëse bëhesh tepër serioz, bullizuesi fiton.”

Evgenia Egorova, konsulente e lartë në Visit Norway, i tha transmetuesit se reagimi ndaj kundërpërgjigjes së tyre në rrjetet sociale kishte qenë i jashtëzakonshëm.
“Bota ka nevojë për pak të qeshura”, tha ajo. “Menduam: le t’u përgjigjemi me mirësi dhe pak humor.”
Visit Norway tha se kishte edhe tualete të tjera elegante në përgatitje, përfshirë një tualet të frymëzuar nga pylli, ku përdoret dru i tharë nga më shumë se 60 pemë.
“Bëhuni gati për ndalesën për nevojat personale më të paharrueshme të jetës suaj”, nxiste agjencia, përpara se ta mbyllte me një përshëndetje gazmore: “Toodeloo!”
Çmimi Nobel për Paqen, siç dihet, nuk jepet nga kombi dhe as nga qeveria e Norvegjisë, por nga Komiteti i Çmimit Nobel, i cili vepron në mënyrë të pavarur — diçka që Trump “e di shumë mirë”, tha ministri i Jashtëm, Espen Barth Eide./dritare.net