Live/ Nis me debate seanca plenare. PD kundërshton çeljen e punimeve pa mbaruar mbledhja te “Ligjet”
Dritare.net

Me debate ka nisur seanca plenare e kësaj të hëne në Kuvend. Në momentin kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi punimet dhe i dha fjalën deputetit të Partisë Socialiste, Klevis Jahaj, nga radhët e opozitës u dëgjuan kundërshtime.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi nisjen e seancës në këtë moment, ndërsa paralelisht vijonte mbledhja e Komisionit të Ligjeve.
Bardhi argumentoi se po u mohohej e drejta për të marrë pjesë në seancë deputetëve që ndodheshin në mbledhjen e komisionit.
Nga ana e tij, Peleshi tha se mbledhja e Komisionit të Ligjeve dhe seanca plenare janë dy agjenda të ndryshme dhe se punimet e Kuvendit mund të vijonin normalisht.
“Seanca parlamentare është më e rëndësishme se çdo mbledhje komisioni. Nuk mund ta zhvendosim seancën”, u shpreh Peleshi.
Debati mes mazhorancës dhe opozitës vijoi që në minutat e para të seancës, ndërsa në Komisionin e Ligjeve po zhvillohej paralelisht shqyrtimi i çështjeve të parashikuara në rendin e ditës./K.C/dritare.net