Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zbardhet dëshmia e autorit për vrasjen makabre në Pogradec. Ilirjan Selmani pranon lidhjen dhe dhunën në marrëdhënie

Zbardhet dëshmia e autorit për vrasjen makabre në Pogradec.

Janë zbardhur detaje të reja tronditëse nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Pogradecit, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet e pajetë në banesën e saj, e djegur dhe me shenja dhune. Autori i dyshuar, Ilirjan Selmani, 31 vjeç, është arrestuar dhe ka pranuar përpara hetuesve se kishte një lidhje intime trevjeçare me viktimën.

Në dëshminë e tij, Selmani tha:

“E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës.”

Ai ka treguar se marrëdhënia mes tyre ishte e trazuar dhe shpeshherë e shoqëruar nga xhelozia, alkooli dhe dhuna. Sipas tij, viktima kishte sjellje të dhunshme sidomos në gjendje të dehur, por ai e kishte duruar për shkak të ndjenjave që kishte për të.

“Dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte – dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më,” – tha Selmani.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur çifti ndodhej në banesën e Kozeta Teços. Sipas policisë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, i riu ka goditur me thikë disa herë 52-vjeçaren, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai i vuri zjarrin banesës, duke tentuar të fshehë gjurmët e krimit.

Fillimisht u mendua se viktima kishte humbur jetën nga asfiksia, por goditjet me thikë të zbuluara në trupin e saj sollën dyshime të forta për vrasje.

Selmani është identifikuar nga kamerat e sigurisë pranë pallatit në lagjen nr. 1 në Pogradec, teksa largohej rreth orës 05:00 të mëngjesit më 28 korrik dhe hidhte sende në koshin e mbeturinave. Në vendin e ngjarjes u gjetën peshqirë dhe kartopeceta me gjak, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori për të pastruar gjurmët e krimit.

Selmani është vënë nën akuzë për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe pritet të përballet me drejtësinë në ditët në vijim. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe rrethanat që çuan në këtë krim të rëndë./L.F-dritare.net