Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, policia: Detektori sinjalioi armën, por nuk u ushtrua kontroll

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, policia: Detektori sinjalioi armën, por nuk u

Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e 6 tetorit në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime të thella mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, hetimet janë përmbyllur dhe është zbardhur i plotë mekanizmi i krimit, ndërsa janë arrestuar tre persona të përfshirë në këtë ngjarje: autori i dyshuar Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gëzim Shkambi, dhe punonjësi i sigurisë Bledar Koçi, i cili dyshohet për neglizhencë në detyrë.

Si ndodhi ngjarja

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 15:35, gjatë një seance gjyqësore me objekt “kundërshtim të veprimeve përmbarimore”. Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, Elvis Shkambi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.

Gjyqtari ndërroi jetë gjatë transportit për në spital, si pasojë e plagëve të marra. Po ashtu, autori ka plagosur dy persona të tjerë, babë e bir, R. K. dhe E. K., të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet kanë zbuluar se Shkambi dhe xhaxhai i tij kishin hyrë në gjykatë që në orën 13:42, duke kaluar nëpër pajisjen e kontrollit ku ishte sinjalizuar prezenca e metaleve. Megjithatë, punonjësi i sigurisë nuk ka ndërhyrë për kontroll fizik, as nuk i ka regjistruar në protokoll.

Pas ekzekutimit, autori i ka dorëzuar armën një punonjësi tjetër të gjykatës dhe është neutralizuar menjëherë nga policia në oborrin e godinës.

Arrestimet dhe akuzat

Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar:

Elvis Shkambi, 30 vjeç, i akuzuar për “Vrasjen e funksionarëve publikë” në bashkëpunim, “Vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave” në tentativë, dhe “Mbajtje pa leje të armëve”;
Gëzim Shkambi, 56 vjeç, për “Vrasjen e funksionarëve publikë” në bashkëpunim dhe “Vrasje në tentativë”;
Bledar Koçi, 63 vjeç, për “Shpërdorim detyre”;
Si prova materiale janë sekuestruar arma e krimit me tre fishekë dhe prova të tjera që ndihmojnë dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore./L.F-dritare.net