
Vota e diasporës/ Edhe sot asnjë votë s’ka mbërritur në Shqipëri. Vijojnë problemet në Greqi!
Dritare.net
As këtë të martë nuk ka mbërritur asnjë zarf me votat e emigrantëve në Shqipëri. Një ditë më parë, kompania postare DHL u arsyetua me faktin se ishin mbledhur pak vota për të nisur avionin.
Në Greqi janë raportuar edhe problematikat më të mëdha. Në total, deri më tani kanë mbërritur 144 783 zarfe në KQZ. Nga Greqia vetëm 23 640 zarfe kanë mbërritur nga 68 380 të dërguara në total.
Emigrantët që jetojnë në ishuj sot kanë afatin e fundit për të dorëzuar zarfet, ndërsa shqiptarët që jetojnë në zonat e tjera të Greqisë, duhet të kontaktojnë postën dhe të takohen me të, maksimalisht deri të premten e 9 majit. Udhëzimi tani është që çdo emigrant të shkojë vetë tek zyra postare, të gjejë zarfin e tij, të votojë e ta dorëzojë.
Thirrje të vazhdueshme ndaj emigrantëve që jetojnë në Greqi ka bërë edhe kryeministri Edi Rama, teksa është shprehur se nuk duhet që ta humbasin këtë moment historik, atë të votimit për herë të parë nga jashtë. Edhe mëngjesin e sotëm, në “Sy m’sy”, Rama apeloi emigrantët që të mos e humbin mundësinë për të votuar. /E.P-dritare.net

















