
Tragjedi në Greqi: Ndërruan jetë dy të miturit e shpëtuar nga emigranti shqiptar, prindërit dhurojnë organet
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë me fund tragjik ka tronditur Greqinë dhe komunitetin shqiptar. Dy djem të mitur, 12 dhe 14 vjeç, që u shpëtuan dy ditë më parë nga emigranti shqiptar Levian Goga në lumin e Artës, fatkeqësisht nuk arritën të mbijetonin.
Sipas “Prothotema”, të miturit kishin pësuar vdekje klinike si pasojë e qëndrimit për disa minuta nën ujë, gjë që i shkaktoi dëmtime të parikuperueshme në tru. Edhe pse u transportuan me urgjencë në spital falë ndërhyrjes së shpejtë të Goga-s, përpjekjet e mjekëve nuk mjaftuan për t’ua shpëtuar jetën.
Një vendim fisnik është marrë nga prindërit e viktimave – njëri shqiptar dhe tjetri grek – të cilët vendosën të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre për të shpëtuar jetë të tjera.
Në vendin ku ndodhi tragjedia, miqtë dhe të afërmit kanë vendosur lule dhe një letër prekëse ku shkruhet: “Do t’ju kujtojmë përgjithmonë, ikët si heronj”.
Ngjarja ka prekur thellë opinionin publik në Greqi dhe më gjerë, duke sjellë në vëmendje jo vetëm dhimbjen për jetët e humbura, por edhe aktin e jashtëzakonshëm të solidaritetit njerëzor nga familjet e të ndjerëve./L.F-dritare.net

















