
Studiuesi: Kur pseudogjuhëtari më tha se fjala polemikë, vjen nga fjala fol o mik!
Dritare.net
Studiuesi Agim Vinca në studion e Shqip nga Rudina Xhunga tha se i sheh një rrezik të madh jo vetëm për gjuhën shqipe, pseudogjuhëtarët, por edhe për identitetin dhe vlerat e shqiptarëve si komb.
Zoti Vinca në studion e Shqip në Dritare TV, tha se gjuhëtarët dhe studiuesit e kanë të vështirë të bëjnë debat me pseudogjuhëtarët, pasi të përballesh me dike duhet të kesh të njëjtën njohuri dhe kulturë për një fushë. Duke folur për teoritë e pavërtetuara për gjuhën, zoti Vinca tha se Agron Dalipaj, një ndër zërat që mbron tezën se gjuha shqipe është ndër të parat në botë, është shprehur se fjala polemikë, vjen nga fjala fol o mik!
“Njerëzit kanë të drejtë të shprehen por nuk duhet t’u jepet një hapësirë më e madhe se sa e meritojnë. Sepse kjo dëmton identitetin, gjuhën shqipe, vlerat e shqiptarëve si komb. Duhet t’i kundërshtojmë por ama nuk mund të ulesh në një tryezë në debat me njerëz që janë të paditur për gjuhën shqipe.
E dini çfarë më ka thënë Agron Dalipaj në një takim për gjuhën? Fjala polemikë vjen nga fjala fol o mik. Unë qesha! Ai e ka shkruar në libër këtë. Pra flas unë, flet ti, dhe bëjmë polemikë. Por në të vërtetë fjala polemikë vjen nga greqishtja polemus që do të thotë luftë me fjalë”, u shpreh zoti Vinca në Dritare TV./L.F-dritare.net

















