
Strehimet e harruara të Shqipërisë. A janë gati bunkerët për një emergjencë?
Dritare.net
Në Shqipëri ndodhen mijëra strehime dhe bunkerë, të ndërtuar kryesisht gjatë regjimit komunist, si pjesë e një strategjie mbrojtjeje ndaj një sulmi të mundshëm ushtarak. Por sot, shumica e tyre janë të harruara, të pushtuara nga mbeturinat, ose janë kthyer në biznese, bodrume e magazina.
Pyetja që shtrohet është: A kemi realisht strehime funksionale në rast lufte apo fatkeqësie natyrore?
“Nëse nesër bie një raketë, kemi ku të futemi? Kush duhet t’i pastrojë dhe mirëmbajë?", pyet kolonel Vladimir Mema gjatë intervistës në DritareTv.
Ligjërisht, shton ai, përgjegjësia për mirëmbajtjen e strehimeve i takon bashkive dhe qendrave të banimit, por në praktikë, kush po kujdeset për to. Në disa raste, ato janë zënë nga persona privatë, të cilët i kanë shndërruar në depo ose ambjente të tjera.
“Në pallatin tonë strehimi është i mbyllur, i mbuluar me pluhur dhe plot mbetje. Askush nuk ka ardhur ndonjëherë për ta kontrolluar”, thotë kolonel Mema.
Çfarë duhet bërë urgjentisht?
Koloneli tregon 4 hapa urgjentë që duhet të ndërmerren:
1. Të bëhet një inventar kombëtar i strehimeve dhe bunkerëve.
– Sa janë? Ku ndodhen? Në çfarë gjendje janë?
2. Të fillojë një aksion kombëtar për pastrim dhe dezinfektim të tyre.
– Kjo duhet të jetë një detyrë e bashkive, në bashkëpunim me emergjencat civile.
3. Të vendosen tabela sinjalizuese në çdo lagje:
– Ku ndodhet strehimi më i afërt, si hapet, dhe cilat janë kapacitetet?
4. Të krijohet një strukturë që monitoron dhe kontrollon rregullisht strehimet.
– Ashtu siç kontrollohen ashensorët dhe bombolat e gazit.
Shqipëria me strehime të NATO-së? Jo ende.
Ndërsa jemi anëtarë të NATO-s, nuk kemi ende as infrastrukturën minimale për të mbrojtur popullatën civile në rast emergjence. Kjo është një mungesë e rëndë sigurie kombëtare, e cila duhet adresuar para se të jetë vone.
“Bunkeri është më shumë se simbol i të shkuarës. Mund të jetë një mundësi për të mbijetuar, nëse dikush kujdeset për të.", thotë ish-oficeri./K.C/dritare.net

















