Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK sekuestron pasuri me vlerë 12 milionë euro në kuadër të operacionit “Ura”

SPAK sekuestron pasuri me vlerë 12 milionë euro në kuadër

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar pasuri të tjera me një vlerë të përllogaritur prej rreth 12 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e një grupi të strukturuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sekuestrimi është bërë në kuadër të procedimit pasuror nr. 10/2025, të regjistruar mbi bazën e hetimeve të thelluara për procedimin penal nr. 36/2019. Vendimi për sekuestrimin e këtyre pasurive është marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr. 39, datë 20 qershor 2025, dhe është ekzekutuar më 27 qershor nga hetuesit financiarë dhe Policia e Shtetit.

SPAK sekuestron pasuri me vlerë 12 milionë euro në kuadër

Në total janë sekuestruar 21 pasuri të paluajtshme në qytetin e Durrësit, përfshirë truall, ndërtesa, njësi shërbimi, dyqane, apartamente dhe bodrume. Këto pasuri janë në pronësi ose të lidhura me:

Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës” (në arrati),
Juxhin Draxhi,
Ervin Zeqiri,
si dhe persona të afërt të tyre, përfshirë familjarë dhe bashkëpunëtorë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm. Një pjesë e madhe e pasurive rezultojnë të regjistruara në emër të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., me ortak Nazmi Shahinin, person i lidhur me një prej të hetuarve.

SPAK sekuestron pasuri me vlerë 12 milionë euro në kuadër

Operacioni ndërkombëtar “Ura”, i finalizuar në maj 2025, është rezultat i një bashkëpunimi ndërinstitucional mes SPAK, Prokurorisë së Barit, Drejtorisë së Antimafias, dhe me mbështetjen e Eurojust. Grupi kriminal dyshohet se trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali dhe kokainë nga Ekuadori.

Pasuritë e sekuestruara janë vendosur nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme. Hetimet pasurore dhe penale vijojnë për 52 persona të përfshirë, përfshirë 30 në Shqipëri dhe 22 në Itali, me akuzat për “Trafikim narkotikësh”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pastrim parash”.

SPAK konfirmon se hetimi vijon për evidentimin e pasurive të tjera të krijuara nga veprimtaria kriminale./L.F-dritare.net