Na ndiqni edhe në

Bota

Putini: Jam i bindur se Rusia do të fitojë në luftën në Ukrainë

Putini: Jam i bindur se Rusia do të fitojë në luftën në

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur bindjen e tij se Rusia do të dalë fitimtare nga lufta në Ukrainë. Gjatë një komunikimi me bashkëshorten e një ushtari rus që ndodhet në vijën e frontit, ai tha se i uron sukses dhe fitore të gjithë luftëtarëve rusë.

“Dua t’i përcillni urimet e mia më të mira bashkëshortit tuaj dhe shokëve të tij. Të gjithëve u dëshirojmë sukses dhe fitore, dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë”, u shpreh Putin gjatë një aktiviteti kushtuar qendrave rinore në Rusi.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur Rusia ka shtuar ndjeshëm sulmet me dronë dhe raketa mbi qytetet ukrainase, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës nuk kanë sjellë ende rezultate.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan sot se dy persona humbën jetën dhe të paktën 14 të tjerë u plagosën, pasi një dron rus goditi një pallat shumëkatësh në qytetin e Odesës, në brigjet e Detit të Zi.

Sipas guvernatorit rajonal Oleg Kiper, mes të plagosurve janë edhe tre fëmijë, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.

Lufta në Ukrainë vazhdon prej më shumë se dy vitesh, me përshkallëzim të vazhdueshëm të dhunës dhe me pasoja të rënda për civilët./K.C/dritare.net