
Ministrat që ikin dhe ata që vijnë në qeverinë Rama 4. Flet gazetari
Dritare.net
Në intervistën e dhënë për emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku në DritareTV, analisti politik Ardit Rada zbuloi disa nga prapaskenat dhe pritshmëritë për kabinetin e katërt të Edi Ramës, i cili do të nisë zyrtarisht në shtator 2025. Sipas Radës, kabineti i ri pritet të jetë i mbushur me surpriza, të ndryshojë thellësisht strukturën dhe të orientohet më shumë drejt teknokracisë.
Kush ikën?
Rada parashikon largimin e një numri të madh të ministrave aktualë, veçanërisht atyre me profil politik, të cilët kanë qenë pjesë e Partisë Socialiste për vite me radhë. Ai përmend konkretisht Anila Denaj dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.
“Unë besoj se një pjesë e mirë e tyre nuk do të jenë më,” – tha Rada. Ai shton se nuk sheh që Ulsi Manja do të vijojë si Ministër i Drejtësisë, pasi sfidat që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE kërkojnë figura më teknike. “Jo se nuk e bën dot punën, por besoj se Rama do zgjedhë njerëz me formime specifike.”
Kush vjen?
Sipas Ardit Radës, kryeministri Rama pritet të sjellë figura të reja me profil teknik, jashtë grupit parlamentar, me qëllimin për të përballuar sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai thotë:
“Rama do godasë shumë lart dhe do jetë i kujdesshëm në zgjedhjen e ministrave që do merren me çështjen e integrimit.”
Sipas tij, do të rikthehen apo krijohen disa ministri të reja, ndër to përmend mundësinë e rikthimit të Ministrisë së Integrimit, e cila ishte shkrirë më herët me Ministrinë e Jashtme. “Pse jo, jo vetëm Ministria e Integrimit, por ndoshta edhe dy apo tre ministri të tjera që do fokusohen në procesin e negociatave.”
Rada nuk përmend emra konkretë për ministrat e rinj, por thotë se mund të vijnë nga grupet e punës dhe stafet që PS-ja ka ngritur ndër vite, përfshirë edhe grupin negociator për BE-në.
Çfarë ndodh me figurat e vjetra të PS që nuk janë më deputetë?
Emra si Pandeli Majko, Ermonela Felaj, Blerina Gjylameti dhe të tjerë që nuk arritën të fitojnë mandate në 2025, sipas Radës, nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri. “Mendoj që e kanë mbyllur kapitullin e tyre politik,” – u shpreh ai.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që ata të angazhohen në detyra të tjera në administratë, si drejtues agjencish me ndikim si:
• Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
• AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore)
• Alpetrol
Megjithëse një pjesë e këtyre figurave kanë pasur poste të larta, Rada thekson se gjithçka varet nga egoja personale dhe se postet e tilla janë vendimmarrje politike që varen nga partia. “Partia të emëron ose të përzë.” Rada nuk e përjashton mundësinë që disa prej tyre të emërohen ambasadorë.
“Nuk besoj se ka ndonjë peshë apo përfitim të madh posti i ambasadorit, është një opsion për të dalë në pension nga karriera politike.”, tha gazetari./K.C/dritare.net

















