
Ndahet nga jeta gazetari Dashamir Dini!
Dritare.net
Është ndarë nga jeta gazetari i njohur dhe drejtori i dikurshëm i Radio Shkodrës, Dashamir Dini. Ai ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare në Bergamo të Italisë, si pasojë e një hemorragjie cerebrale, teksa po kurohej prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar familjarët e tij, përmes një postimi prekës në rrjete sociale,
“Ti ishe heroi im, mësuesi më i mirë i jetës. Faleminderit që më dhe gjithçka.”, shkruan e bija Barbana Dini.
Dashamir Dini ka qenë një prej figurave më të njohura të gazetarisë në Shkodër, me një karrierë disa dekadëshe në media, si reporter, redaktor dhe drejtues. Ai la gjurmë të thella jo vetëm në profesionin e tij, por edhe në zemrat e shumë kolegëve, miqve dhe qytetarëve që e kanë ndjekur punën dhe fjalën e tij.
Përveç gazetarisë, Dini ishte edhe poet. Pas humbjes së të birit, këngëtarit Ergi Dini në një aksident tragjik në Tiranë në vitin 2016, ai u shpreh përmes vargjeve të dhimbshme që preknin çdo shpirt njerëzor. Në ato poezi ai rrëfente dhimbjen e një babai të lënduar, por edhe forcën e një njeriu që dinte të jetonte me dinjitet edhe në tragjedi.
Vdekja e Dashamir Dinit është një humbje e madhe për gazetarinë shqiptare. DritareTv i shpreh ngushëllimet familjes së gazetarit Dashamir Dini./K.C/dritare.net

















