
Makthet nuk janë thjesht ëndrra të këqija, po na kushtojnë vite jetë
Dritare.net
Burimi: La Reppublica
Makthet nuk janë vetëm përjetime të pakëndshme gjatë gjumit, ato mund të kenë pasoja serioze për shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë. Kështu tregojnë studimet më të fundit, të paraqitura në Kongresin e 11-të të Akademisë Europiane të Neurologjisë (EAN), që u zhvillua në Helsinki nga më 21-24 qershor. Hulumtimi ka zbuluar se makthet e përsëritura shoqërohen me një proces të përshpejtuar të plakjes biologjike dhe me një rrezik trefish më të lartë për vdekje të parakohshme.
Ky është studimi i parë që provon se makthet mund të jenë një tregues i pavarur i plakjes së shpejtë dhe i një rreziku më të madh për vdekje të hershme, edhe kur merren parasysh probleme të tjera shëndetësore.
Kërkimi është udhëhequr nga Abidemi Otaiku, studiues në “Dementia Research Institute” të Mbretërisë së Bashkuar dhe në Imperial College të Londrës. Ai ka analizuar të dhënat e 2.429 fëmijëve të moshës 8 deri në 10 vjeç dhe të 183.012 të rriturve të moshës nga 26 deri në 86 vjeç, të përfshirë në gjashtë studime afatgjata të popullsisë. Te të rriturit, frekuenca e maktheve është vetëraportuar në fillim të studimit, ndërsa monitorimi ka zgjatur deri në 19 vjet. Për fëmijët, informacioni është dhënë nga prindërit.
Rezultatet tregojnë se te të rriturit që përjetonin makthe të paktën një herë në javë, rreziku për të vdekur para moshës 70 vjeç ishte rreth tre herë më i lartë, krahasuar me ata që nuk përjetonin makthe. Ky rrezik ishte më i madh madje edhe se ai që lidhet me faktorë si duhanpirja, mbipesha, ushqyerja jo e shëndetshme apo mungesa e aktivitetit fizik.
Për të matur plakjen biologjike, studiuesit përdorën tregues si gjatësia e telomerëve dhe ora epigjenetike. Edhe te fëmijët, makthet rezultuan të lidhura me një plakje të përshpejtuar. Te të rriturit, kjo plakje e përshpejtuar shpjegonte deri në 40% të rrezikut për vdekje të parakohshme.
Shkaqet mund të lidhen me ndërprerjen e gjumit cilësor, stresin kronik dhe rritjen e hormoneve si kortizoli, i cili dihet se nxit procesin e plakjes. Gjithashtu, makthet mund të jenë pasojë e gjendjeve të tjera shëndetësore që vetë shoqërohen me plakjen. Sidoqoftë, studimi nuk tregon një lidhje shkak-pasojë të drejtpërdrejtë, por një lidhje të fortë statistikore që meriton vëmendje dhe kërkime të mëtejshme./K.C/dritare.net

















